RECENSION PËR LIBRIN E POSABOTUAR TË 
  FLORI BRUQIT”GUXIM SHQIPTAR(2008)
   
  Zbardhje e çështjes kombëtare 
  Pas një periudhe të gjatë kohore dhe pas luftës në Kosovë,
  si një sihariq i rrallë na vjen një vëllim i përmbledhur
  me shije të hollë dhe me një gamë të gjerë temash e disiplinash
  me larushi të begatë nga fushat e publicistikës, historisë
  e historiografisë, diskursionit, shkencës, figurash krijuesish
  me rëndësi madhore nga letërsia shqiptare dhe ajo botërore;
  nga psikologjia, mjekësia, seksologjia; nga fusha e polemikave,
  artikuj të inteligjencës, të cilët do të frymëzojnë dhe pajisin lexuesin
  tonë me informacion të kamur, vështirë se do të mund të
  gjente lehtë një vëllim të vetëm, siç është ky.
  Poeti i frymëzimeve të “Zjarrit të Diellit” (1995), me një
  guxim dhe përpjekje të ngulmët flak dashurinë për poezinë dhe
  i rreket zbardhjes së çështjes kombëtare në Kosovë nëpërmjet
  diturish të nduarnduarshme, të spikatura për ndodhjet e situatat
  aq të ndërlikuara të shekullit të tretur dhe të këtij qindvjeçari,
  për të shfletuar një sasi njohurish dhe për t’i ofruar njeriut një
  sofër ushqimesh të sojit të vet.
  Është fare vetjake kjo përpjekje. Dhe kaq e devotshme:
  lexuesi mund të endet nga rrafshi në rrafsh të parapëlqyer sipas
  shijes që ka, dhe sipas kërkesës.
  Temat që janë shtruar kanë aq shumë të dhëna, sa nuk ka
  ndodhur ndonjëherë gjëkund në një libër të mëparshëm.
  Urojmë shëndet e sukses për një disiplinë kaq të pëlqyeshme
  dhe dobiprurëse për lexuesit tanë.
   
  Nehat S. Hoxha,redaktor i librit 
   
  Fjala e recensuesve
  Libri a përmbledhja e studimeve “Guxim shqiptar“ e intelektualit,
  studiuesit dhe shkencëtarit Flori Bruqi kon
  ceptohet si një punim kompleks historiko-letraro-shkencor
  me vlera, përmasa dhe hapësira shumëdimensionale, të
  përfshira në tetë kapituj, me 45 tematika, dhe me 382 faqe; me
  materiale mjaft të zgjedhura dhe me interes, të studiuara dhe të
  përpunuara me kujdes të veçantë dhe të shkruara me vërtetësi
  reale, historike dhe kombëtare; në të cilën përmblidhet një gamë
  e gjerë dhe mjaft e larmishme e shumë fushave të jetës të së
  kaluarës dhe të së përditshmes, që kërkohen dhe janë të nevojshme
  të njihen, të mësohen dhe të përvetësohen nga gjithsecili,
  për t’u bërë pjesë e aktiviteteve të tyre në punë dhe në veprimtari.
  Titulli i librit “Guxim shqiptar” përbën në vetvete një
  vlerësim special dhe një gjetje shumë të goditur të autorit,
  shprehur në mënyrë simbolike, që i lejon çdo patrioti shqiptar,
  me ndjenjë atdhedashurie, të zgjojë dhe të ringjallë tek ai: kombin
  (etnik) shqiptar, popullin e lashtë pellazgjiko-Iliro-shqiptar,
  legjendat e kahershme martire edhe të Mujës dhe Halilit, traditat
  zakonore, besën shqiptare, trimëritë heroike, të koduara në
  kanune dhe të trashëguara brez pas brezi si të shenjta dhe të
  paprekshme, duke u bërë simbol i vëllazërimit ballkanik, siç
  është treguar gjatë historisë shekullore dhe të propoganduar
  nga të huajt.
  Konsiderata më e veçantë e librit duhet të jetë përfundimi
  që do të nxjerrë lexuesi nga leximi i librit, i cili mendoj dhe
  konkludoj se do të përmblidhet në qëllimin që i ka përkushtuar
  vetes autori: në kontributin, mbështetjen dhe dashurinë që manifeston
  ai për Mëmëdheun, duke Ju përkushtuar në gjithçka dhe
  për çdo gjë, që qartazi shprehet dhe duket gati në çdo artikull
  që lexohet në libër, ku ndihet dhe konceptohet patriotizmi,
  ndjenja atdhetare, emri ilir, epirotas, arbëresh, shqiptar, që kudo
  e ndesh. Shkurt, nënkuptohet boshti ideor atdhetar, i pushtuar
  me brezin e kuq shqiptar mbarëkombëtar.
  Ndërsa, vlera e vetë autorit Flori Bruqi duhet çmuar dhe
  admiruar me korrektësi dhe me modesti, përpara këtij punimi
  vëllimor, me tematikë të shumëllojshme, të profileve të ndryshme
  dhe me materiale të bollshme dhe me vështirësi interpretuese;
  të cilat janë paraqitur me mjeshtëri, me një mori njohjesh
  teknike, profesionale dhe artistike, të cilat i kanë dashur autorit
  kohë, mund, sakrifica dhe mjaft durim për t’i përballuar dhe
  për të arritur suksesin e merituar. Ato duhet ta gjejnë shpjegimin
  e vet të vlerësimit në përgatitjen e tij të lart profesionale, në
  njohjen mjaft të mirë të gjuhës shqipe, të pastërtisë dhe rrjedhshmërisë
  së saj, si dhe të shumë gjuhëve të huaja, të profesionit
  të vet; të vullnetit dhe durimit të një intelektuali të aftë, mjaft
  aktive dhe konsekuent për t’ia arritur qëllimit. Bindje për këtë
  mund të formosh nëse u referohesh punimeve dhe veprimtarisë
  letrare, artistike dhe shkencore që ka realizuar dhe kryer
  autori, në një kohë të shkurtër, ku brenda 11 vjetëve ka shkruar
  24 vepra madhore të gjinive të ndryshme si dhe mjaft shkrime
  shkencore, që e kanë detyruar të bëjë “haram“ edhe gjumin.
  Zbërthimi analitik që mund dhe duhet t’i bëhet librit
  “Guxim shqiptar”është shpërblimi më adekuat, më i pranueshëm
  dhe më i zakonshëm që kërkon dhe që duhet t’i jepet
  me të drejtë autorit, siç e meriton, me gjithë vështirësitë objektive
  dhe subjektive që hasen. Në kapitullin e parë mbi “Lashtësinë e
  historisë“ autori ka meritë se ka ditur të zgjedhë dhe të na përfaqësojë
  historinë tone në periudha kohe të ndryshme, duke
  përfshirë tërë territorin iliro-arbëror me tema të denja, historikisht
  dinjitoze, me mburrje kombëtare dhe me të kaluar heroike.
  Shkrimi “Pirrua i Epirit”, kontibut i z. Sitky Jahjaj, i qëmtuar
  me vërtetësi nga autori Bruqi, është mjaft i qëlluar në këtë
  libër; se na njeh me sundimtarin më të shquar të Epirit, pasardhës
  i Akilit, i biri i Aiakidit dhe përfaqësues i denjë iliro-epirot dhe
  strateg i zoti, që diti të fitonte mbretërinë e humbur më 296
  p.e.s. dhe që epirotët për trimërinë e tij e thërritnin ‘shqiponjë’
  dhe ushtarët ai i quante ‘bij të shqipes’, duke krijuar më pas
  traditën shqiptare. Pirrua e rriti autoritetin e tij dhe të epirotasve,
  pellazgjiko-ilir me aftësi, trimëri dhe zgjuarsi, sa maqedonasit e
  shëmbëllyen me Aleksandrin e Madh dhe e ftuan për ta udhëhequr.
  Pirrua ëndërronte perandori në perëndim. Ai i shkoi në
  ndihmë Tarantos kundër romakëve, që vërtet fitoi, por në histori
  ka hyrë me shprehjen “ fitore si e Pirros “. Ai, në Sicili, më
  278 p.e.s. mundi kartagjenasit; por karriera e tij aq e lavdishme
  u shemb në muret e Argosit nga goditja e një gruaje.
  Artikulli “ Beteja e Kosovës 1389 dhe kontributi i shqiptarëve
  “është një meritë tjetër e autorit, sepse evidencon rëndësinë
  e betejës së Kosovës si bashkim-unitet i ballkanasve kundër
  Perandorisë Osmane, si vendi i betejës së Fushë-Kosovës, të
  pjesëmarrjes së popullsisë masive të krahinës së Kosovës dhe
  vlerëson Milosh Kopiliqin si trim kosovar, i quajtur edhe princ
  arbëror, që Car Llazari, mbreti i Serbisë dhe komandanti i betejës
  së Kosovës, pranoi të zhvillonte një bisedë “kokë më kokë” me
  të si një komandant ushtrie, me historinë e një trimi që vrau
  sulltan Muratin II dhe ra si dëshmor, kurse popullsia kosovare
  e përjetësoi në këngë dhe e ktheu në legjendë të vërtetën e tij.
  Në këtë betejë të koalicionit ballkanik, autori ka meritë se
  e pështjellon ngjarjen me korrektësi. Fakton bashkëpunimin e
  dhëndurëve të Car Llazarit, Gjergj Ballshajt dhe Vuk Brankoviçit
  me takimin e tij në 1388 për koalicion, se përmend luftëtarët e
  shquar shqiptarë, si: Gjergj Ballshaj, Theodhor II Muzakaj i
  Beratit, i cili u vra në betejë, për të cilët flasin edhe kronikat
  turke; se Beteja e Kosovës u mbështet nga një koalicion i gjerë,
  ku morën pjesë serbët, Vuk Brankoviç që drejtonte popullatën
  e Kosovës, shqiptarët dhe boshnjakët, duke iu kundërvënë
  historiografisë falsifikuese serbe, që mohon forcat e koalicionit,
  injoron historinë, ul vlerën e pjesëmarrjes së shqiptarëve dhe të
  boshnjakëve dhe akoma më keq, Milosh Kopiliqin e bëjnë serb
  dhe i shtrembërojnë mbiemrin. Këto konfirmohen nga vetë
  serbët, që u “zgjuan” vonë për ta njohur, besuar dhe për ta
  propaganduar betejën e Kosovës si mit në favor të tyre, kur
  etnologu VukKaraxhiç u kujtua dhe mblodhi disa rapsodi nga
  një i verbër rreth betejës së Kosovës, që më pas i besuan dhe
  ata vetë. Çudia vazhdoi edhe në ditët tona, shpjegon autori, kur
  Slobodan Millosheviç, për interesat e veta, të forcimit të pushtetit
  politik dhe moral, mitin e betejës së Kosovës e ktheu në thirrje
  për unitet, ku gjente edhe shkakun e humbjes së betejes dhe
  për jehonë organizoi 600-vjetorin e saj me pretekst për të rindërtuar
  apo dëbuar shqiptarët dhe për të luftuar kundër pavarësisë
  së Kosovës me terma të irredentizmit islamik, të terrorizmit,
  apo krimit të organizuar, të fabrikuar po nga ata vetë.
  Mbrojta e Plavës dhe e Gucisë e viteve 1879-1880 është një dukuri
  tjetër e autorit, që dëshmon për atdhetarizëm, duke dokumentuar
  heroizmin dhe patriotizmin e pashoq të krahinë së Plavës
  dhe të Gucisë, të heroit të krahinës, Ali Pash Gucisë me shokë,
  të Kosovës , të Lidhjes së Prizërenit, të gjithë Shqipërisë, në
  mbrojtje të së drejtës dhe të tokave shqiptare, me vendosmëri,
  me luftë të pandërprerë, me gjakderdhje të pashoqe dhe me
  diplomaci kundër malazezëve, që sulmuan dy here në mënyrë
  të organizuar dhe me egërsi për të pushtuar Plavën dhe Gucinë
  në dhjetor 1879 dhe në janar 1880, por u sprapsën me trimëri,
  me guxim nga forcat e organizuara shqiptare, edhe pse u përdor
  dredhia dhe përkrahja e Fuqive të Mëdha. Evropa e kuptoj më
  në fund se vendi atje ka zot shqiptarët. Dëshmitë dhe faktet
  angleze mbi konfliktin shqiptaro-malazez rreth Plavës dhe
  Gucisë të viteve 1879-1880 të përmbledhura në librin e studiuesit
  Idris Lamaj botuar në Nju-Jork në 1999; konfirmojnë pa ekuivokë
  shkrimin e autorit Bruqi.
  Në vazhdim përmendim artikullin” Skënderbeu dhe
  rëndësia e infrastrukturës logjistike për të udhëhequr luftën “që
  autori me të drejtë e paraqet si një aspekt të rëndësishëm dhe
  tepër të veçantë të epokës luftarake të Gjergj Kastriotit, që historiografia
  dhe Sesioni Shkencor i Akademisë tonë, kushtuar
  600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut e kishin mënjanuar atë,
  duke e kthyer në legjendë strategjinë dhe betejat e tij luftarake,
  të cilat mbeten si të fundit .Ky shkrim shfaq interes dhe ka
  vlerë se për herë të parë evidentohet një koncept i ri, një ekspozim
  i një faze përgatitore dhe një moment vendimtar që duhet
  t’i jepet rëndësi në arritjen e suksesit të fitores së betejave, të
  vlerësuara me të drejtë edhe nga vetë Skënderbeu, që del më se
  qartas në artikull. Sekreti i Gjergj Kastrioti –Skënderbeut, që i
  rezistoi Perandorisë Osman dhe fitoi, i dedikohet jo vetëm se
  ishte vërtet i zoti si strateg, por më tepër se ai iu kushtua dhe
  kuptoi rëndësinë e infrastrukturës logjistike për të udhëhequr
  luftën, duke u mbështetur nga suita e tij jofisnike, përbërë nga
  klerikë, e nga grupi i tij laik, që kryenin punën e diplomacisë, të
  legatave në qytetet e Italisë, të tregtisë, të lidhjes e bashkëpunimit
  me shtetet fqinje të Evropës Juglindore dhe Perëndimore nga
  ku siguronte paranë, armatimet, pagesën e mirë të ushtarëve,
  bazën financiare dhe organizimin. Në këtë shkrim del se si
  strategji të tij, Skënderbeu kishte Rodonin si kështjellën kryesore
  dhe se Lezha për të ishte udhë-lidhëse midis detit dhe malësisë
  Shkrim tjetër kurioz, origjinal dhe me interes mbetet “Napoleon
  Bonaparti dhe shqiptarët”, ku autori jep informacione,
  njoftime historiko-premtuese mbi origjinën autentike edhe të
  mbiemrit të Napoleonit, perandorit të Francës .Studimet e
  autorit hapin fushë veprimi, sjellin burime të besueshme,
  mendime dhe citime optimiste të mjaft autorëve autoritarë të
  huaj, që na konfirmojnë bindjen dhe konsideratën që kanë të
  huajt të pranojnë se heronjtë tyre kanë origjinë shqiptare dhe
  që meritojnë përgëzime. Shkrimi sjell citimin e R. Anzhelit, që
  i kujtonte botës se Napoleoni është po aq shqiptar sa edhe
  Aleksandri i Madh dhe Skënderbeu, ku folklori popullor e ka
  rrënjosur në këngë: Ti shqipe ishe e Aleksandrit , zaptove botën dhe
  vajte deri në Indi. Me Pirron vojte kundra romakëve me Skënderbeun
  pëmbi osmanllinj. Na kujton dëshminë e Xhozefinës për prejardhjen
  nga Mali i Peloponezit të Napoleonit, thënien e vëllait të
  Napoleonit se kemi orgjinë arbëreshe, afrimi i Napoleonit me
  Ali pashë Tepelenën, dënimi nga ana e Napoleonit e gjeneralit
  të tij, që i theu në besë shqiptarët, si dhe supozimet se a dinte
  shqip Napoleoni, a i njihte zakonet shqiptare, na mbushin me
  krenari të ligjshme se trualli iliro-shqiptar ka rritur brezni trimash
  dhe burra të mëdhenj shteti, duke sjellë plot shembuj edhe nga
  historia.
   
  Kapitulli i Dytë: Për Ramushin
   
  I. “ Dora e Zezë e serbëve vret çlirimtarët e Kosovës” ( Intervistë
  me Z. Adem Demaçi ).
  Intervista me z. A. Demaçin duket mjaft serioze, e bërë
  në kohë të përshtatshme, me përmbajtje shumë dinjitoze dhe
  përbën një thirrje për drejtësi, për patriotizëm dhe dinjitet
  njerëzor.
  Përgjigjet janë parimore, mendimet janë të çiltra, realiste,
  burrërore, objektive dhe pa dorashka.
  II. “Hero në luftë, hero në paqe - Ramush Haradinaj”
  Titullin e shkrimit e konsideroj mjaft të përshtatshëm, emrin
  shumë të merituar, ndërsa përshkrimi mendoj se duhet të ishte
  më heroik, siç është, siç njihet dhe siç kërkohet të dihet për
  situatën dhe jo thjesht biografik. Akademia jonë në vitin 2005
  ka reaguar me një letër ndaj Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë
  në mbrojtje të Ramush Haradinajt me këtë tekst: Krimineli dhe
  viktima nuk mund të ulen në një bankë gjykimi.
  III. Ramushi - viktim e situatës (neo ) koloniale
  Shkrimi mendoj se është një portretizim i denjë i figurës së
  Ramushit, ku përshkruhen kontributi dhe meritat e tij të padiskutueshme,
  puna dhe veprimtaria e tij prej një aktivisti, luftëtari
  dhe udhëheqësi trim dhe patriot. Atë e karakterizon burrëria
  e pashoq, guximi, zgjuarsia dhe drejtësia, për të përballuar
  padrejtësitë dhe akuzat e sajuara. Sugjeroj që figurës së Ramush
  Haradinit t’i jepet një vend më i merituar, më patriotik dhe më
  dinjitoz siç e meriton dhe e do situata.
  Kapitulli i tretë: Antropologjia . “Jakov Milaj dhe raca
  shqiptare”. Shkrimi është një kontribut i spikatur i autorit, që
  çmon librin “Raca Shqiptare” si një vepër dinjitoze, që nxjerr
  në pah për herë të parë dhe në mënyrë më të plotë, veçoritë
  antropologjike të shqiptarëve, duke i vlerësuar jo vetëm si një
  komb i kulturuar, por e përcakton me një prejardhje gjenetike
  sui generis, duke e veçuar si një racë që vërteton origjinën dhe
  identitetin shqiptar. Ai na e kujton racën shqiptare, për ta besuar
  vetveten shqiptari, për ta njohur atë, se populli i Arbrit ka një
  origjinë të vetme, të përbashkët dhe autentike, në të gjithë vendin
  ku banon, pa pasur ndryshime esenciale ndaj përkatësisë fetare,
  krahinore, toskë apo gegë; por ka nevojë për një politikë shoqërore,
  që të mbrojë figurën fizike të racës shqiptare. Autori
  argumenton qartë dhe me fakte bindëse se vepra e Jakovit zë
  një vend të merituar në literaturën antropologjike shqiptare, se
  evidenton dukshëm cilësitë fizike, pasqyron filozofinë, shkencën
  dhe terminologjinë e kohës së vet dhe merr shumë informacione
  të vyera, ku njihet me tipat fizikë në evolucionin e tyre, që e
  përcaktojnë shqiptarinë si race të veçantë. Flori Bruqi u kundërvihet
  me të drejtë, me argumente dhe fakte bindëse disa
  “studiuesve modernë”, që duan t’i errësojnë vlerat e punimit
  shkencor të Jakov Milajt.
  Kapitulli i Katërt. Politika
  Arvanitasit, Çamëria , Epiri i Veriut dhe gjendja sot
  Shkrimi evidenton me mjeshtëri, me hollësira, me dokumente
  dhe me fakte historike: 1.Djallëzitë e qarqeve greke ndaj popullit
  arvanitas, që i dha pavarësinë popullit grek, ku mbi 90 % e tyre me
  heronjtë legjendarë, si: Xhavellon, Boçarin, Bubulina etj.; u bënë therorë
  në luftë. 2. Gjenocidin e egër të shovinistëve grekë me Venizellon në krye
  ndaj popullit çam autokton, parahelenik në token e tyre, të cilët i shfarosën,
  i dëbuan mbi 30 mijë çamë dhe i persekutuan, duke a u marrë tokat dhe
  gjithë pasurinë në sy të Fuqive të Mëdha. 3. Agresivitetin dhe armiqësinë
  ndaj fqinjit të tyre Shqipërisë për pretendimet absurde dhe të padrejta për
  Vorio-Epirin, duke bërë vrasje, tortura, djegie dhe dëbime masive me dijeni
  të Evropës. 4. Padrejtësitë ndaj Shqipërisë, duke e copëtuar më dysh në
  1913 si dhe pabesinë ndaj popujve fqinjë dhe dinakërinë që kanë treguar
  ndajë Fuqive të Mëdha. Autori përmend me argumente qëndrimin
  agresiv të qarqeve greke, që mbajtën gjatë periudhës së demokracisë,
  ku dogjën shkolla, fshatra dhe bënë tortura dhe masakra
  që të kujtojnë periudhën e kaluar. Dëshmi e qartë e dinakërisë
  dhe djallëzisë së tyre, që nuk njeh kufi, është dhe ardhja e Janullatosit
  si kryefetar i ortodoksëve shqiptar, për të sjellë ngatërresa
  ndërfetare. Artikulli mbetet si një akt mbështetës, nxitës
  dhe si një dokument me rëndësi për popullin çam për të kërkuar
  të drejtat e tyre legjitime, nëpërmjet të gjitha formave deri në
  Starzburg, me anën e organizatës së tyre politike.
  A ka intifadë shqiptare në Iliridë? Artikulli është i parapëlqyer
  se nxjerr në dukje dhe merr më shumë në konsideratë përpjekjet
  e shqiptarëve të Iliridës, për të fituar dhe konfirmuar me ligje
  dhe me kushtetutë të drejtat e mbi 40 % të shqiptarëve në shtetin
  maqedon. Ai mbështet miratimin e të drejtave të njeriut, gjuhën
  amtare, flamurin kombëtar, njohjen e identitetit dhe të zakoneve
  të popullit shqiptar, të padiskutueshëm për një komb.
  Pushtetarët e kanë frikë heroin e demokracisë. Shkrimi nxjerr në
  dritë një të vërtetë aktuale, që duhet të bëhet shembull i një
  veprimtarie të guximshme vetëmohuese dhe burrërore në
  mbrojtje të të drejtave të popullit të tij të shumëvuajtur dhe
  nxit rininë për t’u bërë flamurtare në interes të atdheut.
  Nder, respekt dhe krenari është përcaktimi i Albin Kurtit, që
  mbetet një shembull frymëzimi për të gjithë rininë kosovare.
  Mirupafshim në Kosovën e lirë. Përbën një përgjigje mjaft
  sfiduese, shumë kuptimplote dhe tepër korrekte për kërkesën
  absurde dhe të papërgjegjshme, që bën një pretendues që mban
  edhe petkun e zi të një kleriku, kur me dashje harron arkivat e
  Raguzës, të Gazulit, Buzukut etj.
  A do të ketë një Nuremberg Shqiptar për komunistët dhe krimet e
  tyre? E vlerësuar si një deklaratë që bënë jehonë dhe formulon
  një thirrje për drejtësi, ajo duhet të konsiderohet si nxitëse për
  të gjetur zgjidhje sa më objektive dhe në një kohë sa më të
  përshtatshme.
  Kapitulli i pestë. Spiunazhi
  Agjentura greke dhe Sigurimi i fshehtë i Shtetit Shqiptar. Autori me të
  drejtë na njeh në libër me këtë material faktik, për të na vënë në
  dijeni më mirë edhe më tepër për ndërhyrjet, pabesitë, agresionin
  dhe spiunazhin grek ndaj Shqipërisë, popullit dhe kufijve të
  tij, të nisur prej kohësh qysh gjatë periudhës së Luftës Nacional-
  Çlirimtare. Aty evidentohen me fakte, dëshmi dhe me deklarata
  nga spiuni grek, të deponuar para seancave gjyqësore të
  gjykatës shqiptare, për grupet e spiunazhit, të rrjeteve organizuese
  dhe të çetave veri-epirote, që kryenin masakra, tortura
  dhe shkatërrime në dëm të popullit dhe të shtetit shqiptar.
  Kush janë agjentët me influence në Kosovë? Në shkrim njihemi
  me fakte dhe dokumente mjaft interesante të sigurimit të fshehtë,
  që kanë shërbyer si forcë lëvizëse në situata kritike, duke lozur
  rol vendimtar edhe më të fuqishëm se forca ushtarake apo
  diplomacia për të arritur fitoren. Për ta bërë më bindëse forcën
  e sigurimit, sillen fakte nga historia e sh. III p.e.s. të Sun Xus, që
  thoshte se spiuni është i domosdoshëm. Kujtohet mashtrimi i
  kalit të Trojës, apo aftësitë e spiunazhit rus të Zorkit në Japoni,
  ose lufta e spiunazhit midis KGB dhe CIA, që përmbysi pushtetin
  sovjetik si dhe së fundi terrorizmi i 11 shtatorit 2001, që
  kanë dëshmuar për forcën kolosale të sigurimit dhe të organizimit
  të fshehtë në arritjen e fitores. Në këtë aspekt, thuhet në
  shkrim, duhet parë agjentura e spiunazhit të fshehtë serb në
  Kosovë, që ka punuar dhe punon nga të gjithë krahët, duke
  rekrutuar kosovarë të gënjyer në bashkëpunim me mendjen e
  djallëzuar për të krijuar frontin e spiunazhit që e ka tronditur
  Kosovën. Agjentët më të rrezikshëm në Kosovë mbeten spiunazhi
  - sigurimi i fshehtë dhe organizmat klandestinë, që kanë
  vepruar në mënyra të fuqishme, të padukshme e mashtruese
  dhe të paraqitura si mjete më të fuqishme se çdo armë vepruese,
  që arrin të parashikojë dhe të paralajmërojë fitoren.
  Kapitulli i gjashtë. Gjuhë, letërsi
  Origjina e gjuhës shqipe. Artikulli vlerësohet si një përshkrim, prezantim
  dhe studim i thellë dhe i përpunuar i historisë dhe shkencës
  së origjinës së gjuhës shqipe, e përcaktuar siç është e
  vetme në familjen paraindoevropiane, duke u përballuar me dy
  teza : të ilirishtes më të besueshme dhe të trakishtes; të denja
  dhe të dokumentuara nga albanologët e huaj dhe vendës. Gjuha
  shqipe autoktone në Ballkan, e pellazgëve me “figurë hënore“,
  që autori e nxjerr të shkruar nga viti 1462, por që dokumentet
  e fundit e sjellin edhe më herët rreth 1200, të zbuluar në
  Vatikan.; kurse logjika natyrisht të çon akoma më herët.
  Ndjen kënaqësi dhe krenari kombëtare, kur njihesh me
  fakte historike nga të huajt, nga klerikët shqiptar dhe nga
  albanologët tanë mbi gjuhën shqipe të shkruar, mbi alfabetet e
  krijuara, të përpunuar në kongreset gjuhësore, të ngritur në gjuhë
  standarde, të njohur me veçoritë e gjuhës sonë, të elaboruar
  nga korifenjtë: K. Kristoforidhi, E. Çabej, A. Buda, M. Domi, I
  .Ajeti dhe nga arbëreshët me në krye J. De Rada dhe që kjo
  gjuhë e Naimit po flitet sot nga 15 milionë shqiptarë në botë
  dhe nga 7 milionë vendës në Ballkan, si dhe nga albanologë në
  shumë shtete, dhe po mësohet në shumë universitete të botës
  dhe ku gjen libra shqip në vendet më të zhvilluara të rruzullit
  tokësor. Rëndësia e këtij artikulli qëndron në faktin se aty gjendet
  gjithçka që duhet, e shkruar me kujdes, me vërtetësi, me hollësi
  dhe në baza shkencore.
  Censura dhe shterpësia letrare. E konsideroj një diskutim
  filozofik me objektivitet real, gjetjen dhe shqyrtimin e vërtetësisë
  letrare atje ku nuk ka krijimtari të lire, të vërtetë, por të censuruar.
  Atje ku shkrimtari bëhet i vetëdijshëm se ai sheh, ndjen dhe
  mendon, por nuk mund t’i thotë, se të tjera është i shtrënguar
  të shpreh, edhe pse vetë nuk i beson. Kështu, ca heshtin, të
  tjerë mundohen të bëhen përkthyes dhe ndokush i fut shkrimet
  në sirtar, se kështu i duket më drejt për t’i ruajtur; duke konkluduar
  se censura censuron ata që pranojnë të censurohen –
  servilët e regjimit. Materiali i autorit i shtjellon me hollësi dhe
  nxjerr si përfundim se censura të shpije në shterpësi letrare, që
  në regjimin totalitar, krijuesi dhe artisti arrijnë të kthehen në
  një zanatçi, të instrumentalizohen dhe të diktohen nga
  censuruesi, duke i dhënë tema të gatshme për të shkruar, për ta
  depersonalizuar; për të qenë pa personalitet, pa vullnet, pa
  dëshirë dhe pa dashuri. Kjo ka sjell si konkluzion edhe boshllëkun
  që ekziston edhe në ditët e sotme në letërsi, që po kthehet
  në imitim të perëndimorëve. Autori diskuton edhe si dëm në
  letërsinë shqipe përkthimet e veprave të I. Kadaresë nga Jusuf
  Vrioni, në aspektin se janë përkthyer vepra shqip në gjuhë të
  huaj, që nuk sjellin aq vlera letrare, se sa përkthimet e letërsisë
  nga gjuhët e huaja në shqip, se kontribuojnë më shumë dhe
  krijojnë horizont më të gjerë letrar, duke detyruar disa shkrimtarë
  të heqin dorë nga të shkruarit në kohën e diktaturës.
  Lavdi De Radës. Kjo jehonë dhe thirrje evidenton personalitetin
  dhe autoritetin e figurës më të shquar letrare të
  letërsisë së re, që përfaqësoi me dinjitet iluminizmin e ndritur,
  që do të lindte dhe do të frymëzonte patriotizmin, idealizmin,
  traditat dhe heroizmin e popullit shqiptar. J. De Rada lëvroi me
  mjeshtëri, me zgjuarsi, me shumë kujdes dhe me aftësi
  profesionale rapsodinë shqiptare, duke sjellë një xhevahir të
  traditës gojore popullore, shpalljen e Milosaos në 1836 si kryevepër
  e parë shqiptare në botën shqiptare, duke i thurur lavdi
  trashëgimisë popullore dhe detyroi të zgjohej kureshtja e të
  huajve La Martin dhe Ygo, që ta admirojnë etj. Ai shkroi vargun
  e famshëm”Erdhi ditë e Arbrit”, duke dhënë kushtrimin se dy
  shtetet e veriut të Bushatllijve dhe e jugut të Ali pashës, nuk u
  varrosën, por janë ripërtërirë me idenë e re të çlirimit kombëtar.
  Jetoi gjatë dhe prapë Arbërinë të lirë nuk e pa, por edhe kur u
  bë e përgjysmuar Shqipëria, atë nuk e njohu dot se ajo ishte
  analfabete.
   
  Branko Merxhani. Ky emër i harruar i gazetarisë shqiptare
  Përmendet me të drejtë si një nga penat më të spikatura dhe
  më të mprehta të viteve ‘30-të në Shqipëri, si gazetar, publicist
  dhe përkrahës i idesë së neoshqiptarizmit për një zhvillim kulturor
  jashtë politikës dhe u dallua si një aktivist i palodhur, për
  përhapjen e dijes dhe të atdhetarizmit, kudo ku punoi në Shqipëri,
  Athinë e në Turqi. Bashkëpuntorët e tij, Nexhip Alpani
  dhe Petrua flasin me respekt për kontributin e vlefshëm dhënë
  në publicitet, ndërsa Flori me konsideratë shprehet: figura e
  harruar e Branko Merxhanit duhet të nderohet, të respektohet
  dhe të vlerësohet me dinjitet në median e sotme.
  Ismail Kadare. Në librin kronik në gurë, thotë autori, dëshiron
  të ndryshojë rrjedhën e romaneve si nga ana e paraqitjes dhe të
  ngjarjeve, megjithëse shfaqen edhe shumë mendime dhe
  alternativa komplekse; por duket se ajo po ndjek vazhdën e
  luftës, për të reflektuar dhe për t’i parë personazhet me syrin e
  një fëmije, të vetvetes, pa pasur ndonjë ndikim partishmërie,
  duke pasqyruar edhe vlerat e një rëndësie etnografike që Gjirokastra
  e ka pasur traditë.
  Klasikët e romanit postmodernë. Është në nderin e autorit që
  në librin e tij diti të zgjedhë dhe të përfshijë tri personalitetet
  më të denja, më të kërkuara dhe më të zgjedhura, që kanë bërë
  emër dhe e kanë përfaqësuar me autoritet dhe me dinjitet epokën
  postmoderne me veprat e tyre. Le t’i përmendim për respekt:
  Valero Massino Manfredin me trilogjinë e Aleksandrit të Madh,
  Umberto Econ me Flakët misterioze të mbretëreshës Loana dhe
  Aleksander Bariccon me Novoçenton apo Legjendën e pianistit, të
  tre autorë, me tri histori dhe vetëm me tri romane, sollën imazhin
  e tri epokave, duke pasur vetëm dy gjëra të përbashkëta: atdheun
  -Italinë dhe famën e tyre ndërkombëtare.
  Homeri dhe Odisea nuk kthehen më në truallin grek. Artikulli
  evidenton me hollësi dhe me fakte krizën dhe vështirësitë që
  po has letërsia greke për të kapërcyer izolimin kombëtar të literaturës
  së vendit, e cila u vu në dukje më së qarti në panairin e
  Frankfurtit në gjermani. Grekërit po përpiqen të mbijetojnë,
  nga mbiprodhimi i botimeve, që i sjellin në jetë më lehtë se
  fëmijët e tyre. Po përkthejnë sa më shumë në gjuhë të huaj,
  hoqën dorë nga fjalori mitologjikë grek dhe nga Homeri, që
  ishte krenaria e tyre, siç bëri Elitys, edhe sepse ishte formuar
  boshllëk i madh mbi dymijëvjeçar, nga lulëzimi helenik, që
  akuzohet se kishte vjedhur mite dhe legjenda nga lindja.
  Në 60-vjetorin e lindjes së shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Bardhosh
  Gërvalla. I njohur si intelektual me merita, autori thekson se
  nuk duhet të harrohet, por të çmohet si shkrimtar me vlera të
  larta si poet, prozator, dramaturg, atdhetar, si një figurë poliedrike
  dhe simbol i kombit, mbasi mbetet edhe nga më prodhimtarët
  në trashëgiminë e dorëshkrimeve.
  A është Rifat Kukaj një thesar shqiptar? Vlerësohet si një
  veprimtar mjaft inkurajues, që ka shkruar mbi 40 vepra letrare,
  libra dhe romane dhe mbi 30 punime të dramatizuara, duke
  arritur një sukses të merituar në lëmin e letërsisë, ku spikatin
  proza dhe poezia, të vlerësuara edhe me shumë çmime. Kontribut
  të veçantë ka dhënë në edukimin e brezit të ri dhe në
  letërsinë e fëmijëve.
  Në vend të përkujtimit: Mehmet Kajtazi. Njihet si gazetar me
  kontribute të veçanta, por ka shkruar edhe vepra letrare në poezi
  dhe në dramë. Përmendet si aktivist dhe atdhetar dhe kujtohet
  me respekt dhe me nderim për dramën e tij “Një natë e fundit
  në Goli Otok”, që i kushtohet popullit të tij dhe përshkruan
  vuajtjet e torturat në këtë kamp internimi. Në kujtim të tij autori
  përmend shkrimin e tij”Kultura bashkon kombin”.
  Kush është Kolec Traboini? Autori me dashamirësi përgjigjet
  se është një shkrimtar, gazetar, publicist, që ka shkruar vepra
  letrare, prozë, poezi, skenarë, me tematika të ndryshme, të
  karakterit shoqëror, patriotik, erotik dhe dallohet për një stil të
  tij origjinal dhe për një humor të hollë me karakter konstruktiv
  dhe dashamirës. Ai ka drejtuar gazetën Egnatia me përgjegjësi
  dhe ka dhënë një kontribut të ndjeshëm me shkrimet e tij në
  hapësirën virtuale me të cilat mund të njiheni edhe në libër.
  Kozeta Zylo. Prezantohet si një aktiviste e dalluar e
  komunitetit shqiptaro-amerikan e Nju-Jorkut, si një intelektuale
  dhe pedagoge e respektuar në institutin amerikan Globus në
  Bruklin, si një publiciste, letrare dhe poete, që po bën karrierë.
  Intervistat e shumë intelektualëve e vlerësojnë Kozetën si një
  poete me perspektivë dhe e komentojnë librin e saj poetik,
  Monumentin si një vepër me perspektivë. Ajo ka shkruar edhe
  një libër tjetër poetik, ku jepen përshtypje të mira.
  Kush është Gani Xhafolli? Njihet si shkrimtar. që ka publikuar
  mbi 20 vepra letrare, si poezi, romane dhe është vlerësuar me
  çmime. Ka ende shumë materiale në dorëshkrime, që presin
  radhën për t’u botuar. Nga poezitë më tepër i është çmuar libri
  poetik “Gjeometria e syrit”, për të cilën ka mjaft komentime
  interesante.
  Kush është Nehat S. Hoxha? Ka bërë emër si letrar, poet dhe
  përkthyes. Ka shkruar 5 libra artistikë dhe ka përkthyer mbi 18
  vepra artistike nga anglishtja, me materiale të filmit artistik,
  arsimor dhe vizatimor. Ai ka bërë dhe mjaft adaptime për TV,
  radio, gazeta dhe për revista. Është një aktivist dhe organizator
  i palodhur dhe pjesëmarrës në delegacionet e huaja.
  Muhaxhedinët si “Golden Boys”. Flitet për Bernald Henri
  Levyn, autor i librit “Kush e vrau Daniel Pearl”, që është një
  dokument, që bënë një analizë letraro-politike, me aspekte të
  shumta moralo- kulturore e filozofike; që më shumë se ç’do
  burim i mundshëm, të lehtëson udhëtimin në zemrën e Al-
  Kaidës dhe është një homazh për një gazetar që mizorisht
  ekzekutohet pse donte të zbulonte një të fshehtë të vërtetë.
  Rekuiem për.. Aty njihemi me përshëndetje, konsiderata dhe
  alternativa të “përzemërta”!
  Persekutimi komunist mbi vajzat e Bajram Currit. Dëshëroj që
  artikullin ta parafrazoj me një nënkuptim të lartë për nder të
  Bac Bajramit, duke shprehur për familjen: Konsideratë të veçantë,
  respekt, nder, admirim për fisnikërinë, atdhedashurinë,
  mirësjelljen, mikpritjen që kanë manifestuar pjesëtarët gjatë jetës
  së tyre me gjithë keqtrajtimet që kanë pësuar. Kjo bëhet edhe
  në përkushtim të kujtimit të të paharruarit Bajram Curri, heroit
  legjendar të Kosovës dhe të Shqipërisë.
  Polemikë pa dorashka. Klajd Kapinova. Duke mos dashur të
  prononcohem ,të më falni; por për të mos qëndruar indiferent,
  do të dëshiroja të jepja disa mendime shoqërore: I konsideroj si
  replika të pakuptimta midis intelektualësh. Të pasinqerta midis
  shoqërisë. Me interpretime jomiqësore për jetën dhe pa baza
  morale për kohën.
  Letër e hapur organizatorëve dhe spektatorëve të koncertit
  të Goran Bregoviçit. Argumenti : Analizë dhe koment
  Konkluzioni që del nga artikulli është më se i qartë: një”akuzë”
  e drejtë, e ndershme dhe e sinqertë që u drejtohet organizatorëve,
  edhe pjesëmarrësve dhe një fyerje për popullin shqiptar
  e sidomos kosovar, që me dashje apo pa dashje ose të rënë në
  kurth, kanë lejuar një bashkëkombës serb të japë koncert në
  mes të Tiranës, duke u njohur si i padëshirueshëm, për të penguar
  pavarësinë e Kosovës me gjithë autoritetin e tij.
  Kapitulli i shtatë. Psikoanaliza, Astrologjia dhe Erotika
  Ç’është psikologjia, psikanaliza dhe kush është Zigmund Frojd (Siegmund
  Freud )?
  Shkrimin e vlerësoj si një artikull shkencor, përshkruar me mjaft
  saktësi, me nocione shumë të qarta, korrekte, me karakter filozofik,
  që përbën një material mjaft të nevojshëm për çdo intelektual
  të çdo profile. Aty gjen të zbërthyer terminologjitë e
  nevojshme të psikologjisë, psikanalizës dhe të psikoterapisë. Nga
  leximi me kujdes i materialit del një kokluzion i madh: ne të
  gjithë kemi nevojë dhe duhet ta njohim më mirë vetveten, megjithëse
  është e vështirë.
  Figura e Zigmund Froidit jepet mjaft e qartë, me të gjitha
  atributet dhe veprimtaritë e tij prej një shkencëtari kolos, që
  krijoi psikanalizën duke filluar nga vetja e pastaj kaloi tek pacienti.
  A duhet besuar Horoskopi? Ai vlerësohet dhe konsiderohet
  si një art parashikues, me histori shumëshekullore, me ecuri
  trashëgimore, me njohje dhe besueshmëri të shumë brezave, të
  kthyer në “mjet-art-parashikim”, “i besueshëm”, por edhe sfidues.
  Pra, a duhet besuar? Shkenca i bie shkurt – JO, se s’ ka
  baza shkencore. Po a i mbush mendjen “botës”?! Kjo kushtëzohet
  me shansin- fatin-ndikimin dhe besimin. Shumëkush e
  beson astrologjinë qiellore, sepse thuhet se horoskopi gjen
  gjithçka. Ndoshta! Por, kjo vjen nga besimi i verbër dhe se
  mendja jonë gënjehet. Mirëpo, ato kanë marrë një përhapje kaq
  të madhe nëpërmjet shenjave të zodiakut, sa që profecia është
  kthyer si në një perëndi dhe megjithatë nuk duhet besuar.
  Psikologjia erotike. Të dhënat e paraqitura, ndonëse me
  informacione të shkurta, dhe me materiale orientuese të sferës
  erotike, mendoj se nuk do ta justifikonin prezencën e tyre të
  qëndronin krahas materialit aq serioz historiko-letraro-shkencor
  që është parashtruar në libër me aq kompetencë dhe dinjitet.
  Kapitulli i tetë. Çka janë sëmundjet ngjitëse seksuale?
  Shkrimi është një literaturë shkencore–popullore mjaft e
  nevojshme, shumë e rekomandueshme dhe më se e domosdoshme
  për t’u njohur nga të gjithë, për të pasur dijeni për
  sëmundjet seksualisht ngjitëse, për t’u ruajtur, për t’u mbrojtur
  dhe më në fund edhe për t’u mjekuar. Materiali është mjaft
  orientues, i asimilueshëm, i kuptueshëm, por ka nevojë edhe
  për plotësime.
  Akademik Dr. NAMIK M. SHEHU,
  Sekretari shkencor i Akademisë Shqiptaro-Amerikane , Nju-Jork
  Nga forma elektronike te
  forma e shtypur
  Libri “Guxim Shqiptar” i Flori Bruqit është një përzgjedhje,
  një seleksionim i punimeve më të mira elektronike,
  botuar në faqet e rrjetit (web sites), bas i të cilave
  qe dhe është autori dhe që tash i afrohen publikut lexues të
  përmbledhura në një vëllim më vete. Me një fjalë, libri është
  bërë që edhe publiku lexues, i pamësuar me botimet elektronike,
  të njihet me tema të ndryshme, që kanë gjetur një trajtim të
  gjerë e të denjë pikërisht në këtë formë.Pra, kemi një kalim nga
  forma elektronike te forma e shtypur.
  Nga temat e ndryshme historike, për seriozitetin dhe
  thellësinë e trajtimit, tërheq vëmendjen artikullit “Mbrojtja e
  Plavës dhe e Gucisë”, sado që janë me interes edhe disa ide të
  hedhura për origjinën shqiptare të perandorit francez Napoleon
  Bonaparta.
  Një peshë jo të vogël ka kapitulli “Për Ramushin”, në të
  cilin është përmbledhur intervista e z. Adem Demaçi me titull
  “’Dora e Zezë’ e serbëve vret çlirimtarët e Kosovës”, artikulli i
  autorit “Hero në luftë - hero në paqe: Ramush Haradinaj”, si
  dhe artikulli “Ramushi, viktimë e situatës (neo)koloniale”. Megjithatë,
  pjesa qendrore e librit i kushtohet antropologjisë, në të
  vërtetë veprës “Raca shqiptare” të Jakov Milajt, ku edhe autori,
  pos mospajtimeve të hapura me disa autorë, jep dhe ndihmesën
  e vet në ndriçimin e kësaj çështjeje shumë të ndjeshme.
  Në kapitullin “Politikë” kanë gjetur vend shumë tema
  aktuale, sikundër është çështja e pazgjidhur çame, çështja në ka
  ‘intifadë’ në Iliridë, frika që kanë udhëheqësit tanë nga kryetari
  i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti me titullin shumë domethënës
  “Pushtetarët e kanë frikë heroin e demokracisë”, dy artikuj për
  mjekun e dëgjuar shqiptar, z. Namik Shehu etj.
  Një kapitull që do të zgjojë interesimin e lexuesve është
  pa dyshim “Spiunazhi”, ku kanë gjetur vend artikujt “Agjenturat
  greke dhe Sigurimi i Fshehtë i Shtetit Shqiptar”, “Kush janë
  agjentët me influencë në Kosovë” dhe “Aktivitetet kriminale të
  shtyra nga shërbimet sekrete armiqësore në Kosovë”. Por, kapitulli
  më i gjerë dhe më i larmishëm është “Gjuhë & letërsi”, ku
  hetohet edhe karakteri i ndjeshëm hulumtues i autorit, sidomos
  në portretizimin e figurës së Jusuf Gërvallës dhe vlerave të veprës
  së tij letrare; pastaj disa anë të panjohur të shkrimtarit tashmë
  të ndjerë, Mehmet Kajtazi etj. Janë me interes edhe artikujt për
  Kolec Traboinin, Rifat Kukajn, Kozeta Zylon, Gani Xhafollin,
  Nehat S. Hoxhën, si dhe një varg temash nga letërsia botërore.
  Libri mbyllet me kapitullin “Psikanalizë, astronomi dhe
  erotikë”, ku trajtohen tema nga këta lëmenj interesantë të jetës
  njerëzore
  Abdullah Konushevci,recensent i librit nga Prishtina
  Prishtinë, më 3 dhjetor 2007