e shtunë, qershor 16, 2007

Berisha: Kosova, ndarjet janë të rrezikshme



Nju Jork- Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun tha dje se vonesat në zgjidhjen e statusit të Kosovës janë të panevojshme dhe të padobishme, duke vënë në dukje se, zgjidhja e statusit final është shumë e rëndësishme jo vetëm për rajonin, por edhe për të gjithë Evropën. Një deklaratë të tillë, sekretari Ban Ki Mun e ka bërë dje gjatë një takimi të zhvilluar në Nju Jork me kryeministrin Sali Berisha, ku ndër të tjera, ai e informoi atë se është duke punuar me të gjithë aktorët ndërkombëtarë, për të bërë të mundur arritjen e konsensusit për zgjidhjen statusit të Kosovës. Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së u shpreh se, plani "Ahtisari" ka të gjithë elementët e arsyeshëm për të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë, si dhe për të siguruar një të ardhme evropiane për Kosovën dhe të gjithë rajonin. Nga ana e tij, Kryeministri shqiptar u shpreh se, çështja e Kosovës është çështja më e rëndësishme për t'u zgjidhur, për t'u dhënë fund krizave ballkanike. Berisha tha se qeveria shqiptare mbështet pavarësinë e Kosovës dhe vuri në dukje se ndarjet dhe copëtimet janë të rrezikshme, dhe hapin derën edhe për copëtime të mëtejshme. Zgjidhja e duhur, tha kryeministri Berisha, është respektimi i kufijve ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe kufijtë e Kosovës. Në këtë kuadër, Berisha tha se, fatkeqësisht, qëndrimi i Serbisë është ekstremist, i paarsyeshëm, pasi Beogradi nuk kërkon zgjidhje, por kërkon ndarje. Duke shprehur mbështetjen për planin "Ahtisari", Kryeministri shqiptar tha se vonesat në njohjen e statusit final të Kosovës nuk janë të frytshme dhe do të kenë pasoja negative për të ardhmen e Kosovës. Çështja e statusit të Kosovës, ka qenë dhe tema e një interviste që kryeministri Sali Berisha ka dhënë dje për televizionin CNN, ku ai ka deklaruar se, Këshilli i Sigurimit duhet të miratojë rezolutën përsa i përket statusit të Kosovës, në mënyrë që të ndihmojë Kosovën për të ndërtuar pavarësinë e saj. Një gjë e tillë, sipas kryeministrit Berisha, është e vetmja mundësi për të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë, por edhe më gjerë. "Mund të miratojnë rezolutën dhe të ndihmojnë Kosovën të ndërtojë pavarësinë e saj, si e vetmja mundësi për të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe më gjerë. Kjo është zgjidhja e vetme. Çdo shtyrje tjetër është e dëmshme dhe Rusia nuk po paraqet asnjë opsion tjetër përveç bllokimit",- është shprehur Berisha. Në gjykimin e Kryeministrit shqiptar, nuk ka pse pritet aspak përsa i përket zgjidhjes së statusit të Kosovës, duke qenë se, sipas tij, fantazma e Serbisë së Madhe jeton ende në Beograd. "Përsa i përket Rusisë, nuk e di nëse kjo është për arsyet e Serbisë apo për disa arsye specifike të Rusisë, që Rusia po mban një qëndrim të tillë. Me duket se, të presësh Serbinë që të jetë realiste, për momentin, është pothuajse njëlloj sikur të presësh Godonë",- u shpreh Berisha.

marrë nga blogu http://www.floart.blogspot.com