Ekskluzive/Ish-nëndrejtori i përgjithshëm i RTSH-së tregon për dhjetorin e vitit 1981
“100 ditët e TV-së për vdekjen e Mehmetit”
Sonila YZEIRI
Dhjetë vjet heshtje në sistemin monist 1981- 1991, për natën e vdekjes së Mehmet Shehut, por dhjetë vjet mallkim, denigrim, zbulim dokumentesh për tradhtinë e poliagjentit Mehmet Shehut, numri dy i Partisë së Punës dhe numri një i qeverisë, kryeministër për dekada të tëra. Pesëmbëdhjetë vjet (1991-2005), çështja Mehmet Shehu, tema më e nxehtë e shtypit shqiptar, që ka ecur varg në histori pa fund të bëmave sekrete, ngjarjeve dramatike, vrasjeve e likuidimeve në oborret e përtej kangjellave të Bllokut. Në qendër të këtyre “uraganeve” dhe më i përfoluri në dosierët e gazetave e revistave, emisionet televizive, opinionet e analistëve të të gjitha moshave, të të gjitha feve, të të gjitha rangjeve, ka qenë tragjedia Mehmet Shehu.
Ngjarja
Fillimi i asaj finaleje është 17 dhjetori duke u gdhirë 18 dhjetor 1981. Çdo përvjetor, si njoftimet e vdekjes përkujtimore, ai akt veprimi është paraqitur përpara opinionit herë si vetëvrasje, herë si vrasje. Kush nuk ka dëshmuar për atë ngjarje, që nga sekretari i parë i Komitetit Qendror të asaj kohe. E veja e E. Hoxhës, badigardë e ushtarakë, bij e bija personalitetesh të bllokut, sekretare e roje, deri edhe kuzhinierë. E të gjithë, si të kishin qenë pranë Mehmet Shehut, kur ka ndodhur ngjarja, tregojnë me pasion, se ai u mendua në fillim për atë që do bënte, pastaj si u nervozua, ngriti nagantin e plumbi depërtoi drejt e në zemër. Të tjerët, atë çfarë kishte ndodhur, e përshkruan si një organizim sekret i jashtëzakonshëm i sigurimit, por që syrit vigjilent të tyre (roje apo shoqërues) nuk iu kanë shpëtuar, pa i parë ata njerëz si hije, që kanë lëvizur atë natë, mes pemëve e lulishtes, tek tuneli e bunkerët dhe ata që hynë me porosinë e udhëheqjes likuiduan tradhtarin, armikun e popullit e të partisë Mehmet Shehun.
Dy variante për vdekjen e Shehut
Të dy variantet kanë krijuar në Shqipëri “taborët” e simpatizantëve me bindje e prova, se ajo që dëshmojnë ata është e vërteta e pamohueshme. Bile, shumë analistë të gazetave e emisioneve televizive, që në atë kohë kanë qenë pionierët e Enverit, me elokuencë e dëshmi intervistash të fragmentarizuara, gati përpiqen të na mbushin mendjen, se edhe vetë kanë qenë dëshmitarët e atij akti historik. Veç duhet pranuar, se e gjithë kjo nuk është thjesht çështje bindjesh, as keqardhjesh, por në radhë të parë luftë militantësh, partiakësh, që për interesa bindjesh iu intereson që Mehmet Shehu të ketë vrarë veten. Me këtë ata mbrojnë Partinë e Punës dhe E. Hoxhën, se ai nuk ka qenë i pabesë. Ai nuk ua ka pasur me hile shokëve, partisë. Grupi tjetër është më i interesuar që Mehmetin ta paraqesin si të vrarë, që do të thotë ja deri në çfarë shkalle kishte degjeneruar Partia e Punës dhe udhëheqësit e saj.
Nisur nga të gjitha këto polemika e për të bërë diçka më të qartë rreth asaj ngjarje, më duket se argumentet që do të sjell më poshtë për 100 ditët e Televizionit Shqiptar për vdekjen e Mehmet Shehut, kanë mjaft bindje për të zbardhur të vërtetën. I ngarkuar posaçërisht, veç detyrës për ndjekjen e atij konflikti më të egër në udhëheqjen e Partisë së Punës, po rreshtoj në këtë shkrim e do të paraqes në mënyrë kronologjike ngjarjen e vdekjes së Mehmet Shehut, nga mesi i shtatorit deri në fund dhjetori, për afërsisht rreth 100 ditë veprimtari televizive, enigmës dhe shpërthimit të asaj të papriture.
Përvjetori i Institutit Bujqësor
Në fund të shtatorit 1981, kremtohej 30-vjetori i Institutit Bujqësor në Kamzë. Evenimenti më i rëndësishëm i atyre ditëve. Në përvjetorë të tillë të rrumbullakët, zakonisht kanë qenë të pranishëm figurat më të larta të partisë e të shtetit. Por ngjarja ende jo shumë e përfolur në opinionin e kryeqytetit, për fejesën e djalit të Mehmet Shehut me një volejbolliste të rrethit familjar të Turdive, e kishte prishur disi ekuilibrin protokollar të udhëheqjes. Në atë ceremoni autoritetet më të larta u paraqitën N. Hoxha e F. Shehu. Të dyja drejtoresha të institucioneve të larta të partisë. Nexhmija e Institutit të Studimeve Marksiste -Leniniste; Fiqreti Drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë. Gjithë kjo nuk ishte e paqëllimshme. Në atë duel, akoma të pashpallur, lihej të nënkuptohej se në veprimtaritë politike filloi dimri. Sipas porosisë orientuese të përhershme e sipas rangut, por edhe me mendimin se ato, Nexhmije e Fiqret, përfaqësonin dy burrat më të lartë të hierarkisë së asaj kohe, kamerat fokusuan në të gjithë kronikën e gjatë, herë njërën, herë tjetrën, portrete të buzëqeshura. Të nesërmen në orën 9-të, në zyrën e Ramiz Alisë, sekretarit për propagandën, është zhvilluar ky dialog: - More, normale ju duk ajo kronika, që transmetuat mbrëmë për Institutin Bujqësor? - e filloi bisedën shtruar.
Heshtëm, dëgjuam e mbasi dyshuam, pyetëm si me habi:- Mos ishte shumë e gjatë? - Dale, dale prit, nuk e kam aty llafin, - vazhdoi ai, - po njerëzit që paraqitët aty, njëlloj janë? E njëjtë është ndihmesa e tyre e roli në shoqëri? Po e kaluara? Secili ka vendin e vet, të kuptohemi, por tjetër gjë është ta zëmë N. Hoxha e tjetër F. Shehu. Kurse ju, njëlloj njërën, njëlloj tjetrën i nxirrnit në televizion. Qëndron kjo! Shikojeni me kujdes këtë që po them e nxirrni konkluzione. Këtu mbaroi biseda, por këtu filluan dhe njëqind dilema. Ishte e para herë, që për gjëra kaq të rëndësishme nuk jepej një mendim i prerë. Në të vërtetë nuk u mor vesh si të vepronim në të ardhmen. Për N. Hoxhën ishte e qartë, s’kishte ndonjë dyshim. Po si të vepronim me F. Shehun? Ta nxirrnim më pak, apo të mos e nxirrnim fare në ekran. Për hir të së vërtetës, porosia ishte mjaft evazive disi enigmë. Veproni vetë, mendtë i keni, mos bini në gabime. Në vazhdim të pak ditëve, çështja e fejesës së Skënderit, djalit të Mehmetit, filloi të ngjallte jehonë tepër shqetësuese. Aq më tepër që roli i Enverit për atë ngjarje, doli mjaft i koklavitur. Ai e uroi Mehmetin për fejesën e të birit në shtëpi...dhe më pas gjithçka shkoi drejt dyshimit. Shkarje nga lufta e klasave, ndërlikimi i marrëdhënieve për qëndrime parimore, e acaroi shumë situatën.
Paraparakisht, për t’i zënë rrugën së keqes, kërkuam informacion të plotë për të gjitha emisionet, “Ngjarje dhe data”. Asnjë intervistë, apo bisedë nuk do të organizohej me personalitete të çdo rangu, pa marrë përpara miratimin e drejtorisë. U shtua kujdesi dhe për emisionet e fëmijëve, sepse disa herë e kishim pësuar nga bisedat disi të pakontrolluara, që organizoheshin në takime me veteranë. Apo nuk ishte dhe 40-vjetori i Partisë. Për lajmet u dyfishua kontrolli. Nga vëzhgimet e dyshimet që na u krijuan, shkurtuam disa emisione historike. Hoqëm nga transmetimi mjaft fotografi dhe dokumente të luftës. Minutat e fundit anuluan një grup xhirimi, që po shkonte për një kronikë në Shkollën e Partisë. Më vonë morëm vesh, se për të ishte interesuar vetë drejtoresha.
Marrëdhëniet Enver - Mehmet
Ngjarjet e ndërlikuara mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut po shtoheshin e acaroheshin, po zienin nga brenda. Por, po afrohej dhe koha e reagimit. Sinjalin e parë, aty nga mesi i tetorit e dha një konferencë e sektorit të shtypit. Në atë mbledhje u tha shkurt, rrjedhshëm e qartë, se në artikujt përkujtimorë e studimorë me rastin e festave të nëntorit, si edhe në emisionin për “Ngjarje dhe data” protagonistë të vetëm do të jenë Partia dhe Themeluesi i saj. Materialet më të rëndësishme do të kalonin për publikim vetëm nëpërmjet sektorit. Afrimi i 40-vjetorit të Partisë dhe i Kongresit të 8-të të saj po tingëllonin ftohtë dhe zbehtë. Në udhëheqjen lart pak entuziazëm, poshtë në bazë pak eufori. Këto ishin refleksionet e atyre ditëve plot ankth. Për ne të televizionit, viti 1981 ishte i veçantë. Pas shumë përpjekjesh, studimesh, argumentesh, qeveria kishte akorduar një fond prej afro dhjetë milionësh dollarë për blerje pajisjesh, sidomos nga firma e njohur gjermano-perëndimore “BOSCH”. Kontraktimet kishin përfunduar e pjesë-pjesë po realizoheshin dhe shlyerjet financiare. Në ato ditë tetori për herë të parë në historinë e tij, filloi transmetimi i programeve me ngjyra. Fat i mirë për ne, fat me zymtësi për udhëheqjen. Konflikt me ngjyra.
Në prag të Kongresit të 8-të
Katër ditë para fillimit të punimeve të Kongresit të 8-të të Partisë, në një takim të veçantë vetëm për vetëm me sekretarin e Komitetit Qendror dhe shefin e shtypit, u përpunua mënyra e regjistrimit dhe transmetimit të kësaj ngjarjeje me rëndësi. Për sa u bisedua në atë takim, s’do të bëhej asnjë fjalë, s’do të vihej në dijeni as redaksia e lajmeve, as regjia. Pulti i figurës do të vihej në komandë të rreptë. Filmimi do të kalohej në tehun e një brisku, sa të mbante gjallë unitetin e varur në fije të perit. Për rreth 7 ditë me radhë E. H. dhe M. Sh. nuk do të qëndronin më pranë njeri-tjetrit dhe asnjëherë nuk do të dilnin bashkë në ekran. Filmimet do të bëheshin vetëm në lëvizje, duke filluar nga njëri krah i rreshtit e duke ndalur në cepin tjetër. Skema për të lehtësuar këtë situatë, ishte zgjidhur me vendosjen në mes të E. H. dhe M. Sh. të një personi të tretë, që do të drejtonte sipas radhës seancat e punimeve të kongresit. Detyrë jo e lehtë që në fillim iu ngarkua Ramiz Alisë. Sidoqoftë kjo mënyrë vendosjeje lehtësoi shumë punën e regjistrimeve për televizionin. Kamerat s’do të fiksonin më së bashku buzëqeshjen e dy të mëdhenjve, pale bisedat kokë më kokë që i “gjuanin” me kujdes të veçantë. S’do të kishte më rrokje duarsh, as përshëndetje. Këto, jo se nuk duheshin për sallën, për televizionin, por sepse ato realisht nuk ekzistonin e nuk do të përjetoheshin më asnjëherë në mes tyre... Kishte javë të tëra, që dy Kryesorët, bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e dekadave, me të mirat e me të këqijat, nuk flisnin me njëri-tjetrin. Buka ishte thyer, ajo s’ngjitej më. Tani, vetëm sa luhej “drama”. Ndoshta nga ato dramat më spektakolare. Aktorë ishin dy figurat më të larta të shtetit e partisë. Dhe si për sfidë të artit, “shfaqja” e këtyre veprimeve zhvillohej në Teatrin e Operës e Baletit në prani të qindra delegatëve të ardhur nga e gjithë Shqipëria. Konflikti mund të shpërthente në çdo minutë. Interesat e kohës kërkonin që kjo mundësisht të mos ngjiste gjatë ditëve të kongresit. Për këtë, loja politike po bëhej tepër e zgjuar dhe finoke, sepse Mehmet Shehu ishte nga ata burra që mund ta bënte bam në çdo seancë. Gjithçka ecte tërhiq e mos këput. Le të kuptohej e le të mos kuptohej, le të besohej e të mos besohej, se mes udhëheqësve nuk shkonte gjithçka mirë. Punimet e kongresit të shpëtoheshin. Po cili ishte mendimi dhe qëndrimi i anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike? Deri në çfarë shkalle përcaktohej pranimi dhe mospranimi i kësaj ndarjeje?! Asgjë e qartë. Atyre u kërkohej heshtje, vetëm heshtje.
Çfarë ndodhte në Televizionin Shqiptar
Dy herë në ditë së bashku me sekretarin e Komitetit Qendror në dhomën e kontrollit, apo edhe drejtpërdrejt në studiot e montazhit, përcaktonim çfarë do të jepnim nga punimet e kongresit. Gjithçka shkonte mirë. Në ditën e tretë në seancat e paradites, Byroja Politike me sekretarin e parë në krye, erdhën të veshur me kostume bezhë. Një kënaqësi për televizionin. Ngjyrat e çelura zbukuronin ekranin. Veças nga të tjerët kryeministri atë ditë mbante rroba blu të errëta. Mos ishte rastësi, apo marrëveshje e qëllimshme për ta lënë ashtu edhe në paraqitje! Deri ku shkonte imagjinata! Dhe këto janë të gjitha të regjistruara. Drejtori i Përgjithshëm i dërgoi një copë letër Fiqretes, që mundësisht mbas dreke, shoku Mehmet të ndërronte kostumin, mbasi nuk dilte bukur në televizion. Tri herë e përgëzoi ajo drejtorin për atë kujdes. Aq ishte hutuar, sa edhe të tri herët, e pyeti nëse mos atë interesim e kanë pasur dhe shokët lart. Kjo për të do të ishte një shpresë e madhe, do të ishte një lajm i gëzuar.
Një konflikt i vogël
Në filmimin e seancave ku M. Shehu mbajti raportin në emër të qeverisë për zhvillimin ekonomik, me kameramanët patëm një “konflikt” të vogël, sepse me gjithë porosinë për të marrë më shumë sallën, ata e drejtonin objektivin tek portreti i kryeministrit, me arsyetimin, se kur të bëhej montazhi do të kërkoheshin këto plane. Ata nuk mund të dinin se fjalimi, pothuajse tërësisht do të ilustrohej me pamje nga delegatët. Në kongres shumë gjëra u bënë ndryshe nga çdo herë tjetër. Nuk ishte fjala vetëm për entusiazmin e pakët e të zbehtë, as për dyshimet që po shtoheshin, por mungoi fare hapur demonstrimi në televizion i lidhjeve të ngushta mes udhëheqjes e delegatëve.
Ka qenë një zakon i njohur, që në pushimet e seancave, Byroja Politike me Enverin në krye, zbrisnin nga presidiumi në sallë, në fuaje, në mjediset e Teatrit të Operës e Baletit e bënin fotografi me grupe delegatësh. Këto nuk u realizuan. Ishte e qartë. A mund të dilnin bashkë të gëzuar mes përfaqësuesve të partisë E. H e M. Sh.?
Të vetmet, që vinin tek delegatët në kohën e pushimeve mes seancave ishin Nexhmija e Fiqretja. Sa për kureshtje, kësaj të fundit i kishin caktuar në sallë një vend afër dyerve të platesë. S’kishte as më të voglin dyshim, se vajtja e tyre tek delegatët bëhej me qëllim të caktuar informimi, për të tatuar pulsin, për të mbledhur opinione. Delegatët nga ana e tyre në ato pushime, si të “uritur” me avazin e vjetër, kërkonin të bënin fotografi. Mbasi grumbulloheshin tek shkallët, ftonin Nexhmijen në mes. Në këtë kohë, si të ishin lodra fëmijësh, vraponte drejt tyre dhe Fiqretja. Por... Nexhmija linte grupin e largohej në mënyrë demonstrative pa bërë fotografi. A mund të kishte dëshpërim më të madh se aq, për palën që do të linte pushtetin, fronin? E ku dihej më tutje! Kongresi mbylli punimet ashtu siç ishte parashikuar, në dukje me fitore. Asnjë ndryshim thelbësor nuk u bë. Delegatët, të ftuarit dhe punonjësit e tjerë të shërbimit, mbi njëmijë vetë, bashkë me udhëheqjen u vendosën jashtë, në shkallët e Pallatit të Kulturës për të bërë një fotografi. Në realitet, në këtë kongres u mund plotësisht M. Shehu, por as E. Hoxha nuk doli fitimtar. Moralisht, siç do ta tregonte koha, edhe ai doli i humbur. Mitingu i zakonshëm, mbas punimeve të kongresit, në kryeqytet u organizua në gjendje të tensionuar për udhëheqjen. Fjalën e rastit u ngarkua ta mbante K. Hazbiu. Goditjet kundër Mehmetit filluan. Ne u porositëm t’i jepnim vend të dukshëm folësit, pa harruar Kryesorin. Aq bëri përshtypje mbajtja e këtij fjalimi nga Ministri i Punëve të Brendshme, sa u përfol kudo, se ai shumë shpejt do t’i zinte vendin e Mehmet Shehut. Për analogji kjo tezë ishte e besueshme, sepse në mitingjet mbas kongreseve vazhdimisht ka përshëndetur kryeministri. Mirëpo, kësaj radhe puna qëndronte tjetërkund. Atë do ta tregonte koha.
Enveri dhe Mehmeti në dritën e kronikave televizive
Më 24 tetor, në prag të festave të nëntorit, organizohej shpërndarja e dekoratës “40-vjetori i PPSH”. Ceremonia filloi jo pa qëllim nga udhëheqja e lartë e partisë. Televizioni porositet, që kamera të mbahet gjatë me pamjet kur S. Stefani do t’i vendoste në gjoks dekoratën E. Hoxhës. Të evidentoheshin edhe planet e shtrëngimit të duarve dhe të përqafimit. Për anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, këtu edhe për kryeministrin, të veprohet me kamera kalimthi, çka do të thoshte se M. Sh. nuk ishte më i dyti i partisë dhe i pari i shtetit, bile nuk kishte nderin të dekoronte E. H., as të qëndronte më në krah të tij. Nga data 1 deri më 8 nëntor, festimet e 40-vjetorit të Partisë dhe Kongresi i 8-të i saj, përbënin një kapitull të veçantë. Në tërë ato ngjarje të dy të mëdhenjtë, siç e thamë edhe më sipër, nuk u takuan dhe nuk folën asnjëherë bashkë. Përurimin e ekspozitës së arteve figurative me rastin e 28-29 nëntorit e kryesoi R. Alia, çka do të thoshte se udhëheqësit e tjerë të rangut të më lartë, nuk kish pse të asistonin. Në ceremoni mori pjesë edhe N. Hoxha. Televizioni porositet ta nxjerrë në pah në mënyrë të veçantë. F. Shehu nuk u duk gjëkundi. Në festën e çlirimit të Tiranës dhe aktivitetet për 28-29 Nëntorin, E. Hoxha nuk mori pjesë, si rrjedhim nuk u caktua nga protokolli i vulës së ftohtë as kryeministri, bile u rekomandua të mos dalë në asnjë veprimtari. Në emisionin “Ngjarje e data” për çlirimin e kryeqytetit jepet urdhër të nënvizohet roli i Korparmatës së Parë e udhëhequr nga H. Kapo. Roli i M. Shehut u përmend shkarazi.
Veprimet e fundit publike të ish-kryeministrit
Veprimtaria e fundit publike e kryeministrit në televizion dhe e fundit përgjithmonë, qe një detyrim protokollar pritjeje, që ai i bëri zëvendës-kryetarit të Këshillit të Ministrave të Rumanisë, i cili ndodhej për vizitë në vendin tonë.
Në datën 17, duke u gdhirë 18 dhjetori, M. Shehu në një moment nervozizmi, pa rrugëdalje vret veten. Pështjellim në udhëheqjen e partisë. Ajo u zu në befasinë e një ngjarjeje të papritur. Puna më e vështirë, formulimi i komunikatës. Si fillim as nuk do të shpallej armik, as nuk do të mbahej zi. Njoftimet në bazë zbritën vonë. Edhe në organet qendrore të informacionit, u njoftuam me rrugë partie, nga Komiteti i Partisë për Tiranën. Ishte hera e parë që për ngjarje aq të rëndësishme, Radiotelevizioni mbeti pa orientim. Në komitetin e partisë së rajonit, ku ishin grumbulluar drejtuesit e partisë së dikastereve, Sekretari i Parë tha: - Domethënë, andej nga ju s’ka ndodhur gjë? Kështu! Gjithçka do të vazhdojë si më parë. Pa ndryshime. U kuptuam? Këngët popullore, muzika e lehtë, vallet e meloditë që u transmetuan tërë ditën, ishin mesazhi më i saktë, se partia u nda edhe nga një armik tjetër. Për aktin e vetëvrasjes, shefi ynë tregohej shumë i nevrikosur.
Arsyet e vetëflijimit
Që M. Shehu do të eliminohej, s’kishte as më të voglin dyshim, sepse me qëndrimin tolerant ndaj të birit për fejesën me një të deklasuar, ai do të tradhtonte gjithçka, edhe E. Hoxhën. Por me veprimin e tij prishi skemën e largimit nga froni disi më butë, duke zbritur shkallë-shkallë, siç ishte vepruar gjithnjë me të skualifikuarit nga udhëheqja. Ata do të merreshin në analizë nga partia, do të bënin në fillin autokritikë me shkrim, pastaj shkarkoheshin nga funksionet, dërgoheshin në bazë e më tutje fundi i njohur, arrestimi e dhënia llogari. Të gjitha këto i shembi M. Shehu me veprimin e tij. Komandanti i partizanëve legjendarë, me plumbin e nagantit të tij depërtoi thellë edhe në zemrën e E. Hoxhës, duke e mposhtur atë në mënyrë të pakthyeshme moralisht e shpirtërisht. M. Shehu, me aktin që kreu, nuk iu nënshtrua Enverit, i cili donte ta shihte shokun e dikurshëm më të ngushtë të luftës e të jetës të gjunjëzuar. Kjo nuk ndodhi. M. Shehu me testamentin që la pas, i dogji në duar letrat E. Hoxhës. Kjo i solli Enverit një zemërim të jashtëzakonshëm. Atij i mbeti pa mbajtur pretenca përfundimtare: Konkluzionet e Byrosë Politike, mbi veprimtarinë armiqësore të poliagjentit M. Shehu. Të nesërmen nëpërmjet një incizimi të veçantë, i quajtur sinoptika e famshme, E. H. ankohej me zë të mekur e të mbytur se, ai (Mehmeti) nuk e priti ta dëgjonte as atë, se çfarë do të thoshte. Pikërisht, se e dinte se çfarë do të thoshte, Mehmet Shehu nuk desh ta dëgjojë. Dhe ajo ishte trimëri.
Një javë pas vetëvrasjes
Më 24 dhjetor 1981, një javë mbas vetëvrasjes historike, sekretari i parë i K. Q. vendosi, apo vendosën të tjerët, të dalë para kamerave. Në televizion, nxitim e pështjellim. Disa herë u thirrëm në sektorin e shtypit. “Skenari i xhirimeve” ishte përgatitur nga lart. Enveri me pallto të hapur, shall të lëshuar dhe kapele republikë, do të paraqitej duke hyrë në ekspozitën e arteve figurative mes të ftuarish, por jo në plan të parë të ekranit. Ekspozita ishte hapur me rastin e festave të nëntorit dhe me qëllim nuk ishte mbyllur. Pas një kalimi të qetë e të shkurtër nëpër sallë E. H. do të ulej në një kolltuk me mikrofon përpara e me ndriçim të posaçëm. Aty do të zhvillohej një bashkëbisedim me një grup nga inteligjencia e kryeqytetit, artistë, gazetarë e shkrimtarë. Çdo gjë u realizua sipas parashikimeve, vetëm se kamerat nuk i dhanë dot jetë asaj skene të venitur. E. Hoxha për dhjetë ditë ishte plakur sa për dhjetë vjet. Ai fliste ngadalë, me ndërprerje, duke shtrënguar fort duart që të mos i dridheshin. Bashkëbiseduesit, që i rrinin përqark si kurorë, nga buzëqeshja e tepruar, i shtonin asaj pamjeje notat e artificialitetit. Enver Hoxha i porositi ata, që të dëgjonte e gjithë Shqipëria, se uniteti parti-popull është i pathyeshëm. Në montazh na u desh shumë punë, që kronika të quhej e pranueshme për transmetim.
Në programacionet e radios e sidomos të televizionit, erdhi një përmbysje e re e programeve. Do të kalonin në arkiv pa të drejtë transmetimi dhjetëra emisione. Me to mund të bëhej montazh vetëm me leje të veçantë. Historia dokumentare po cungohej përsëri. Në fotografitë e luftës çdo 5-6 vjet bëheshin retushe, që të mos dukeshin në ekran fytyra komandantësh e gjeneralësh. Tani do të hiqej edhe M. Shehu me pasuesit e tij. Kush do të mbetej në to?! Si vazhdim i spastrimeve u zbritën nga muret afishe, pllakata, parulla, citate etj. U hoqën shumë këngë e libra, çdo gjë që lidhej me figurën e kryeministrit. Pati edhe nga ata më të devotshmit, që propozuan të rishikohej e gjithë krijimtaria e krahinës së Mallakastrës dhe bile, nëse duhej transmetuar më kënga e njohur e “Çelo Mezanit”, mbasi dihej publikisht se i pëlqente M. Shehut.