e diel, qershor 22, 2008

NJË VENDIM I GUXIMSHËM I AQBK-së PËR TA KORRIGJUAR NJË PADREJTËSI DHE PËR TA ÇUAR PËRPARA SISTEMIN BANKAR TË KOSOVËS

REAGIM

Në intervistën e z. Hashim Rexhepi, Guvernator i AQBK-së, botuar në gazetën Express, e hënë, më 16. 6. 2008, fq. 10-11.

Me marrjen e licencës së BKP-së, më datën 10/03/2006, nga BPK-ja, është bërë shkelje flagrante e rregulloreve të vetë BPK-së dhe në asnjë mënyrë nuk është bërë shkelja e kodit të etikës, kjo është e para që detyrohemi ta themi publikisht.
Pa hyrë në dobësitë e menaxhementit të BKP-së, gjatë periudhës së udhëheqjes, sidomos, në dobësitë e treguara gjatë procedurës së lejimit të ndarjes së kredive – dobësi që kanë qenë prezente në të gjitha bankat e Kosovës, marrja e licencës së BKP me shpejtësi, ditën e marrëveshjes me Bankën e Re të Lubjanës si partner strategjik, ku, pas tri orë njoftimi mbahet mbledhje e jashtëzakonshme e Bordit të BPK-së, duke u revokuar licenca pa asnjë dokument që vërteton gjendjen faktike të bankës, por, vetëm me një shkresë të nënshkruar nga z. Michel. Këtë e ilustron më së miri ish-kryetari i Bordit të BPK-së përmes deklaratës së tij publike nëpër media ku thotë: “se bordi ka qenë i manipuluar me dokumente jo të verifikuara dhe se në atë moment nuk kemi pasur forcë dhe as mundësi të dyshojmë në pasaktësinë e provave të prezantuara”.
Këtë e vërteton edhe vendimi i bordit, i datës 10/03/2006, ku shihet se dokumenti nuk është i nënshkruar nga Kryetari i Bordit, por, nga drejtori menaxhues z. Michel. Duhet të ceket se një analizë jovalide e komisionit kontrollues të BPK-së për afarizmin e bankës, për vitin 2005, u dorëzua me datën 26.06.2006, ndërsa, licenca revokohet me datën 10.03.2006. Ky fakt flet vet. Për hir të së vërtetës, po ua rikujtojmë se është kërkuar të merret licenca në shkresën e datës 10.03.2006 nga z. Michel me arsyetim, kinse:
- për shkak jolikuiditeti financiar të Bankës Kreditore të Prishtinës,
- për shkak moszbatimi të urdhrave të BPK-së për moslejimin e kredive të reja, dhe
- për shkak të mosrritjes së aksioneve për rritjen e kapitalit themelor.

Kujtesë: BKP-ja ishte likuide dhe nuk ishte në pyetje likuiditeti ndaj depozitarëve. Me datën 13.03.2006, përqindja e mjeteve të BKP-së në BPK-në ishte 10.49 %, po atë ditë, po t’i shtoheshin arkës, mjetet arrijnë në 15.86% (ky fakt demanton tezën e parë të BPK-së për jolikuiditet, pasi që me rregulloren e BPK-së kemi qenë të obliguar vetëm t’i ndajmë mjetet 5+5, dmth. 10%).
Akuza nga BPK-ja se BKP-ja, respektivisht, Bordi, dhe, më konkretisht, sipas shkresës, Kryetari i Bordit të BKP-së ka lejuar kredi edhe pas vendimit të BPK-së për moslejimin e kredive të reja, i datës 4.01.2006, nuk qëndron.
Edhe pse u Jemi përgjigjur me shkrim, në bazë të memorandumit të mirëkuptimit, sepse, ishim të obliguar, se ky fakt nuk qëndron, ne, prapë, kemi marrë edhe dy shkresa tjera me të njëjtat akuza. Përsëri, u kemi njoftuar me shkrim se kjo akuzë nuk qëndron. Më vonë, pas mbylljes së Bankës, kemi kuptuar se e tërë kjo ishte vetëm alibi për atë që ata kishin pasur projekt për ta revokuar licencën e BKP-së. Unë, si Kryetar i Bordit të BKP-së, publikisht deklaroj se: nëse kjo akuzë ekziston, e cila mund të vërtetohet në çdo kohë, madje, për 5 minuta, në bazë të dokumentacionit që sot posedon BKP-ja, në likuidim, atëherë, unë jam i gatshëm që vullnetarisht t’u dorëzohem organeve të hetuesisë dhe kërkoj dënimin kapital ndaj meje. Ndërsa, në të kundërtën, nëse nuk vërtetohet kjo akuzë, atëherë, AQBK-ja, së paku, duhet të kërkoj ndjesë publike për dëmet morale dhe materiale që ia ka shkaktuar biznesit tim dhe mua personalisht, si njeri. Kjo kërkesë, mendoj dhe besoj se është e ndershme. Unë nuk kërkoj ndjekje penale, siç ka kërkuar z. Michel, duke e ditur faktin se çdo gjë do të zbardhet me kohë.
Dhe, së treti, për kinse faktin e mosgatishmërisë së aksionarëve për ta rritur kapitalin themelor, mjafton vetëm të përmendet marrëveshja me Bankën e Re të Lubjanës, me të njëjtën datë, më 10.03.2006, ditën që është marrë licenca, është planifikuar që mjetet që do t’i sillnin në emër të blerjes së 51 %, do të ishin tri herë më të madha sesa aksionet ekzistuese.
Siç duket, kjo e frikësoi dikë?!...
Jam i obliguar ta them dhe përsëris edhe një herë se BPK-ja, me dërgimin e dy kuadrove udhëheqës të saj në vendet kyçe udhëheqëse të BKP-së, njërin e emëron drejtor të bankës e tjetrin ndihmësdrejtor i përgjithshëm për çështjet financiare, ka bërë skandal të paramenduar. Është interesant të cekët se në çdo shkresë që ka dërguar BPK në adresë të BKP, ndihmësdrejtorin për çështje financiare e quan zëvendësdrejtor, edhe pse nuk ishte i emëruar si i tillë nga Bordi i BKP-së. Në këtë mënyrë, me sjelljen e këtyre dy kuadrove, ka shkelur rregulloren e vet, në bazë të Nenit 8, ku, në mënyrë decidive thuhet: Asnjë personel i lartë i BPK-së nuk ka të drejtë të punësohet, për një vit, në asnjë bankë komerciale. Pra, z. Guvernator, ju kuptoj, për shkak të pozicionit të Juaj që keni, kur thoni se nga aspekti i etikës nuk është i preferueshëm, ndërsa, në realitet, është bërë shkelja e rregullores dhe për çdo shkelje ka pasoja, që u dëshmuan më vonë.
I rikujtoj. këtu, edhe vlerësimet e auditorit të jashtëm si dhe të BPK-së, se, gjatë tri viteve, radhazi, 2001, 2002 dhe 2003, kemi pasë notimin më të lartë në Sistemin Bankar të Kosovës, me notën 2. Është e vërtetë se për vitin 2004 ka ra nota në 3, për shkak të keqësimit të kthimit të kredive. Kjo notë ishte dhënë nga BPK, gjashtë muaj para se të mbyllet banka. Rikujtojmë se dy banka në Sistemin Bankar të Kosovës, dy vite ma parë, kanë qenë të notuar me notën 5. Në atë kohë BPK ka vepruar sipas rregullores së vet: Ka shkarkuar Bordin dhe Menaxhmentin udhëheqës dhe, në atë mënyrë, u ka dhënë shansë dy bankave tjera që t’u përmirësohet gjendja dhe, njëkohësisht, t’u shpëtohet licenca.
SHTROHET PYETJA: PSE BPK-ja NUK VEPROI NË TË NJËJTËN MËNYRË EDHE ME BKP? (Edhe ky fakt flet vetë dhe është i lexueshëm).
Ne, aksionarët, sot, e dimë, në bazë të fakteve që posedojmë për veprimet e padrejta të BPK-së. Por, si të bëhet shërimi dhe sanimi i gjendjes së shkaktuar pa asnjë të drejtë dhe pa asnjë bazë ligjore?
Marrja e licencës së BKP u përjetua shumë rëndë në mesin e afaristëve tanë. Kjo ishte një goditje e rëndë ndaj ndërmarrësisë dhe iniciativës së lirë, në Kosovë.
Në këtë shkresë nuk dua të hyj në veprimet arbitrare që u bënë ditën e mbylljes së BKP, me marrjen e parave të gatshme nga trezorët dhe dërgimin e kasafortës së fshehtësive të BKP në Gërmi, për t’u hapur me dhunë. Vetëm për këto dy veprime, në çdo vend demokratik në botë, do kishte pasuar ndjekje penale.
Zoti Guvernator, të gjithë aksionarët e Bankës Kreditore të Prishtinës sot e dinë se ju, personalisht, edhe pse keni qenë zëvëndësdrejtor i BPK-së në atë kohë, nuk keni pasur mundësi dhe as forcë për ta parandaluar atë projekt ogurzi të udhëhequr nga z. Michel Svetchin, me rastin e marrjes së licencës. E dimë se sot ka vështirësi në kthimin e kredive, pasi që Banka, efektivisht, nuk funksionon dhe e dimë se po t’i merret licenca ndonjë bankë tjetër, mos e dhashtë Zoti, sidomos, nëse është bankë e madhe, kthimi i kredive do të ketë vështirësi 100 herë më shumë sesa që ka tani BKP në likuidim.
Prandaj, është koha dhe rendi për sanimin e gjendjes së rëndë në Sistemin Bankar të Kosovës. Bordi i AQBK-së duhet, sa më parë, të marrë masa për kthimin e licencës së BKP-së, me kushte që do i parashtronte.
Është obligim moral e ligjor i Autoritetit Bankar të Kosovës ta rishqyrtojë vendimin për marrjen e licencës së BKP-së. Marrja e licencës ishte në kundërshtim të haptë me rregulloret e BPK-së, me ligjin dhe interesat e biznesit të Vendit.
Vetëm me kthimin e licencës së bankës, do të kthehej besimi tek institucionet shtetërore. Ky veprim do të pranohej në opinion si një përpjekje për korrigjimin e një “drejtësie” dhe një veprimi të paramenduar, për të ecur përpara.
Gjendja financiare e BKP në likuidim është shumë e favorshme për kthimin e licencës dhe për privatizim. Nga raportet financiare të bankës, më datën 30.03.2008 rezulton:
Obligime ndaj depozituesve dhe klientëve janë: 20.880.407.oo Euro, obligime ndaj kapitalit aksionar janë: 5.285.632.oo Euro, totali i obligimeve të BKP-së është: 26.166.039.oo Euro, ndërsa, totali i mjeteve të bankës është: 28.923.626.oo Euro. Diferenca pozitive për këtë kohë, sa nuk ka punuar banka, është: 2.757.587.oo Euro.
Pas kthimit të licencës, bankës do t’i ofrohej një partner strategjik vendor apo ndërkombëtar (kërkesat janë të shumta). Ky model (“sanim dhe pastaj privatizim”) i transformimit strukturor të bankave dhe të ndërmarrjeve ekonomike ka ndodhur në Slloveni dhe në vendet tjera (Hungari, Çeki, Poloni) dhe konsiderohet si modeli më efektiv i transformimit dhe zhvillimit ekonomik në vendet në tranzicion.
Besojmë dhe fuqimisht jemi të bindur se ka ardhur koha që Bordi i nderuar i AQBK-së ta marrë një hap të tillë, të guximshëm, në të mirën e të gjithëve, pa u marrë me arsyetime për periudhën e shkuar dhe t’ia kthej licencën BKP, si dhe Menaxhementi udhëheqës i AQBK-së ta udhëheqë këtë proces, që suksesi të jetë qind për qind për kthimin e mjeteve depozitueseve, aksionarëve, dhe do të kthehej besimi te iniciativa e lirë e ndërmarrësisë, duke e licencuar një bankë e cila ka interes për ta blerë dhe në atë mënyrë do të krijohen kushtet nga ajo bankë që kreditë t’i ristrukturojë për 5-10 vite, dhe, që, qind për qind, t’i mbledhë të gjitha obligimet. Për këtë veprim që duhet të ndërmerret, të gjithë jemi të bindur se do të jetë i suksesshëm dhe koha do ta vërtetojë një hap të tillë pozitiv.

Ish kryetari i Bordit të BKP,
Zeqir Shamolli

Cila Kosovë?



Shkruan: Albin KURTI

43 vende nga anë të ndryshme të globit e kanë pranuar Kosovën si vend të pavarur. Problemi nuk qëndron te premtimi i Hashim Thaçit se do të na njohin 100 vende përgjatë garës së tyre se kush do të na pranojë më parë. Natyrisht që premtimin e Hashim Thaçit nuk e kemi marrur seriozisht. Problemi qëndron se shteti i Kosovës edhe pas shpalljes së pavarësisë nuk ka bazë objektive vendore: nuk konsiston as në integritetin territorial e as në disponimin me resurset natyrore dhe kapacitetet zhvillimore.

Hyrja në fuqi e Kushtetutës u bë për hir të ceremonisë solemne dhe jo anasjelltas. Kushtetuta hyri në fuqi për ta vazhduar spektaklin e pas shpalljes së pavarësisë përmes të cilit qytetarët shpërqendrohen nga mjerimi social dhe stagnimi ekonomik i vendit. Krerët e institucioneve në secilën pamje televizive janë të rrethuar nga dy gjëra: flamuri i Kosovës dhe diplomatët ndërkombëtar. I pari është aty që të krijojë përshtypjen se Kosova është një dhe e pandarë tamam si harta në flamur. Kurse të dytët janë aty që të krijojnë përshtypjen se politikanët kryesor vendas janë të pandarë nga zyrtarët e lartë ndërkombëtar dhe asisoj populli të mos mundet t’i fajësojë ata veçmas.
Hyrja në fuqi e Kushtetutës nuk e bën më të fuqishme Kosovën. UNMIK-u e ka sqaruar qysh herët se zbatimi i Kushtetutës është proces. Kjo do të thotë që zbatimi i Kushtetutës do të jetë selektiv. Aty ku mund të zbatohet ajo do të zbatohet, aty ku s’mund të zbatohet do të pritet për kohë më të mira. Është lehtë e parashikueshme se ku mendohet se do të mund të zbatohet Kushtetuta: në jug të Ibrit dhe aty ku shqiptarët janë shumicë. Për veriun e Kosovës dhe enklavat serbe vendos Serbia. Për ato tashmë s’vlen as Plani i Ahtisaarit që gjithsesi është shumë i pafavorshëm për Kosovën. Ban Kimoon përmes letrës së tij dërguar kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq, i bëri atij një ofertë që e tejkalon Planin e Ahtisaarit: doganat i mbesin UNMIK-ut, gjykatat bëhen etnikisht të ndara jo vetëm nëpër komunat serbe por edhe në vendbanime më të vogla, policia po ashtu e ndarë etnikisht, selia në Beograd e Kishës Ortodokse Serbe fiton të drejtën ekskluzive të mbrojë e ndërtojë objektet e saj në Kosovë, ndërkohë që sundimi ndërkombëtar do të jetë neutral karshi statusit të Kosovës (i cili kësisoj na del se nuk qenka i përcaktuar ende)! Por, jo vetëm kaq. Zbatimi i Kushtetutës në jug të Ibrit do të jetë për të keq. Decentralizimi që sajon 5+1 komuna të reja me shumicë serbe (përveç atyre pesë që tashmë janë), ‘eksterritorialiteti’ i 45 kishave e manastireve ortodokse (që marrin mijëra hektarë tokë dhe i vënë ato nën kontroll të Beogradit) janë obligime kushtetuese prioritare. Kështu është paraparë në Planin e Ahtisaarit i cili ndodhet brenda Kushtetutës por edhe mbi të – neni 143.1 i saj konfirmon që nëse ekziston ndonjë kundërthënie ndërmjet Kushtetutës dhe Planit të Ahtisaarit, vlen kjo e fundit.
Pas shpalljes së pavarësisë dhe pas hyrjes së Kushtetutës në fuqi, në vend se pavarësia nominale të mbushet me substancën që quhet sovranitet, ajo po mbushet me pengesa të përhershme për atë substancë. Zaten, nëse lexohen me kujdes Plani i Ahtisaarit si dhe letra më e re e Ban Ki-moon-it, të dyja këto shpërfaqen si pengesa e si mungesa, si kodifikim i asaj që nuk do ta kemi e jo i asaj që do ta kemi. Do të ketë pushtet ndërkombëtar me fuqi ekzekutive sepse s’do të kemi sovranitet, do të kemi polici e gjyqësi të ndarë etnikisht sepse s’do të kemi institucione unike, do të kemi decentralizim sepse s’do të kemi integritet territorial, do të kemi FSK sepse nuk do të kemi ushtri etj.
Legalisht, Plani i Ahtisaarit është bërthama e Kushtetutës së Kosovës. Mirëpo, politikisht ai është asgjë më shumë se pragu i rënies së mëtutjeshme. Plani i Ahtisaarit nuk është plan. Plani i Ahtisaarit është pragu tw cilin nuk mund ta kalojnë, është tavani mbi të cilin nuk mund të ndodhen institucionet e Kosovës. Ai shenjon zonën ku ndodhet një plan që mungon, një plan tjetër që u mundua ta formësojë në vija të trasha edhe Ban Ki-moon në ofertën e tij për Boris Tadiqin. Mund të shkohet nën Planin e Ahtisaarit, mund të shkohet më keq se ai, por jo mbi të e më mirë se aq. Në fakt, pas pranimit të dokumentit të Ahtisaarit nga ana e institucioneve të Kosovës ai dokument praktikisht ra në ujë. Serbia nuk e pranoi atë dhe negociatat po vazhdojnë në forma tjera: Gerard Gallucci e Yves de Kermabon koketojnë me strukturat e Serbisë në Kosovë, kurse Ban Ki-moon ia propozon Boris Tadiqit planin e Slobodan Samarxhiqit për ndarje funksionale. Dokumenti i Ahtisaarit ka mbetur veçse qëndrimi i institucioneve të Kosovës i cili s’mbahet dot meqë është në kuadër të procesit të negociatave që nuk përfundojnë. Duke i pranuar kërkesat e Serbisë, duke i bërë koncesione asaj, procesi i negociatave me Serbinë nuk u mbyll dhe ai po shkon drejt përjetësimit: Serbia vazhdimisht kërkon gjithnjë e më shumë. Dy gjëra kryesore po e mundësojnë këtë: në njërën anë Qeveria e Kosovës e cila nuk e ka ndërmend ta bëjë Kosovën sovrane – ajo nuk e kupton se shteti është (edhe) forcë; kurse, në anën tjetër nuk ka shkop ndërkombëtar për Serbinë – s’- ka më sanksione për të dhe as përjashtim të saj nga organizatat ndërkombëtare si dikur. Në deklaratën e pavarësisë së Kosovës tetë herë përmendet Ahtisaari dhe vetëm tri here pavarësia, përfshirë këtu edhe titullin e deklaratës. Dokumenti i Ahtisaarit në përpikmërinë e tij realisht ka rënë sepse procesi nuk po mbyllet: institucionet e Kosovës jo vetëm që e kanë filluar procesin e pazarit me Kosovën por ato asnjëherë nuk kanë treguar vendosmëri për ta mbyllur këtë proces. Në rastin më të mirë - e që sërish është i keq - do të na përsëritet situata e fundit të viteve të ’80-ta: institucionet e Kosovës do të insistojë në Planin e Ahtisaarit ashtu siç insistohej dikur në autonominë e ’74-shit. Fare mirë e dimë të gjithë se çfarë pat ndodhur atëherë...
Kosova, shteti më i ri në botë, vazhdon të njihet nga shtete të reja, përsërisin për çdo ditë politikanët. Mirëpo, nuk është saktësisht e njëjta Kosovë ajo që po njihet nga vendet e ndryshme. Jemi gjithnjë e më të rrudhur territorialisht e më të gjymtuar institucionalisht. Atëherë, cila Kosovë është njohur dhe po njihet? Kosova e cila është njohur menjëherë pas 17 shkurtit, ajo pas 11 majit, kjo pas 15 qershorit apo ajo që do të bëhet në vjeshtë? Pra, cila nga këto Kosova është njohur e po njihet nga vendet e tjera? Përgjigja është e thjeshtë: Kosova e tanishme – Kosova në momentin kur unë po e shkruaj këtë tekst e më pas Kosova në momentin kur ju do të jeni duke e lexuar këtë tekst. Kosova po ndryshon (për të keq) dhe kjo Kosovë e ndryshuar është Kosova e njohur. Kurdo e nga kushdo që të jetë njohur Kosova bëhet fjalë për Kosovën e tanishme, për Kosovën e atij momenti kur mendohet për të. Rrjedhimisht, krejt varet prej nesh se çfarë bëjmë me Kosovën dhe çfarë lejojmë që të tjerët të bëjnë me të. Ajo Kosovë do të njihet dhe ajo Kosovë do të jetë Kosova e njohur.
Pavarësia e Kosovës është gjithsesi e kotë nëse qytetarët nuk jetojnë më mirë, më lirë dhe më sigurt pas saj. Pavarësia nuk matet me përmirësimin e jetës së politikanëve por të popullit në shërbim të të cilit duhet të jenë ata politikanë. Qytetarët nuk janë fajtor për gjendjen. Fajtor është pushteti. Ama, qytetarët janë po ashtu përgjegjës. Ata duhet ta pyesin veten se deri kur do të lejojnë që heshtja e tyre t’i normalizojë edhe të këqijat më të jashtëzakonshme. Sa më parë (kjo pyetje për veten tonë), aq më mirë e më kollaj (për neve dhe brezat tjerë) do të jetë.

Gomari dhe Pakoja e Ahtisarit


Sipas anekdotës tregohet se një karrocier kishte ngarkuar gomarin me bustin e mbretit, të cilin e çonte në qendër të qytetit. Qytetarët kur e shihnin bustin e mbretit në shpinë të gomarit duke kaluar rrugës, e nderonin me heqjen e kapelës. Gomari i pa kalimtarët duke nderuar dhe nisi të krekosej, kokën e mbante lartë. Ndërkohë me njërën këmbë i mëshonte asfaltit, si shenjë qortimi, në mënyrë që ta dëgjonte karrocieri.
- Im zotëri, e sheh se si qytetarët më nderojnë me heqjen e kapelës, kurse ti si një xhelat më rrah me shkop. Herën tjetër kam për t’i thyer brinjët me shqelma, kërkoj që edhe ti të më nderosh sikur gjithë bota, tha gomari me inat duke mbajtur kokën lartë.
- Oj kafshë e gjorë, qytetarët po e nderojnë bustin e mbretit që ke në shpinë, jo ty! Do të shohim kur të kthehemi në shtëpi pa bustin e mbretit, se a do të nderojnë qytetarët, ia ktheu zotëriu.
Ngjashëm porsi ky tregim ku gomari krekosej për nderimet që i bënin qytetarët, është edhe gomari i karrocierit shqiptar të Kosovës duke bartur paketat e bashkësisë ndërkombëtare në drejtim të Parlamentit të Kosovës në Prishtinë. Në fillim gomari ecte si një kalë, ky është një kompliment i bukur që fshatarët i nderojnë gomarët e vetë. Sipas Biblës thuhet se gomari ishte për tërheqjen e karrocës, kurse kali për pjesëmarrje në luftë.
Ka raste kur fshatari nuk i thotë “Jepi gomari im!”, por “Jepi ati im!”. E para sepse gomarit i bëhet qejfi se është një kalë, dhe e dyta sepse fshatari donë ta nderojë vetveten me një kafshë të bukur dhe të çmuar si kali. Mirëpo, në çastin kur po hynte në Kosovë, dikush i vuri edhe një pako karrocës, dhe papritmas gomari i ngriti këmbët përpjetë, dukej sikur po fluturonte.
Karrocieri i gëzuar qeshi dhe në fund i tha:
- Mos e ke ndërmend të fluturosh si Pegasi i muzave? Mjaft më me akrobacione, tani është koha të ecim!… Karrocieri e goditi dy-tri herë me shkop gomarin, mirëpo gomari nuk jepte shenja. - Kam faj unë që të lazdroj me epitetin “kalë”, kur dihet që kurrë nuk mund të bëhesh kalë, u ankua karrocieri dhe përsëri e qëlloi me shkop.
Karrocieri i shqetësuar ia shikoi jakën në mos e ka ngulfatur kafshën e gjorë, mirëpo çdo gjë ishte në rregull, gomari merrte frymë. Atëherë karrocieri u soll rreth karrocës dhe ç’ të shohë, një pako e madhe ishte ngarkuar në karrocë. Kur e shikoi mirë e mirë, pa se ishte pakoja e Marti Ahtisarit, që ia dërgonte Parlamentit të Kosovës në Prishtinë. Ajo peshonte sa gjithë pakot tjera dhe zinte gjysmën e karrocës, prandaj sapo është vendosur, gomari është dorëzuar dhe nuk ka mundur të luaj vendit. Atëherë karrocieri i kërkoi falje gomarit për goditjet e panevojshme me kamxhik.
- Më falë, që të qëllova me kamxhik! …nuk ke faj ti. Edhe pse ti ke njëfarë të drejte ndërkombëtare për mbrojtje nga ngarkimet e rënda, megjithatë janë ministrat ndërkombëtarë, që të ngarkojnë me peshën e rëndë, tha me keqardhje zotëriu.
Pakoja ishte aq e madhe dhe e rëndë, dukej që vetëm Ahtisari nuk kishte hyrë, përndryshe brenda ishin të gjitha dokumentet për afirmimin e kombit të ri kosovar, (më falni komunitetit), aty ishte gramafoni i himnit të Kosovës i mbështjellë me shami të kaltër me gjashtë yje, (thuhet se është flamuri i Kosovës), dhe shumë cikërrima tjera që flitet jo për kisha katolike dhe xhamitë myslimane, por për kishat surrogate ortodokse. Disa djem e vasha të Lëvizjes Vetëvendosje, që e panë pakon, thanë se në pako ndodhet një bombë e kurdisur e Marti Ahtisarit, që eksplodon ngadalë dhe pa krismë, në mënyrë që të mos trembet populli shqiptar i tronditur nga pasojat e luftës së përgjakshme të shkaktuar nga fashizmi serb.

Kështu e nisa tregimin me gomarin e pagdhendur, por edhe me gomarin mendjemadh. Dikur piktori spanjoll, Francisko Goja, me anën e vizatimeve i përqeshte gomarët me dy këmbë (kupto njerëzit), të cilët bëhen mjekë me stetoskop, besa edhe ministra dhe në vend se njerëzit t’i hipin gomarit, gomarin e mbartin në shpinë. Me një libër kam parë një fotografi, ku dy njerëz e tërheqin karrocën, ndërkohë që dy gomarët janë ulur në karrocë dhe me kamxhik i grahin njerëzit që të shkojnë në Parlamentin e Kosovës.

Beqir Elshani

Në Durrës, në tubim shqiptarësh si në gji të zotit



Do të mblidheshin, nën po atë diell, në po atë tokë që flet shqip qëkurse e krijoi Zoti, me kushtrimin e të parëve, me respektin e tyre dhe po nga ato vise si 130 vjet më parë në Prizren. Durrësi, qyteti i lashtë dhe i ri, më datat 14 e 15 qershor, u bë qendra e shqiptarisë, sepse atje u zhvillua tubimi paraprak i Kuvendit Mbarëkombëtar, që shumëkush e quajti Lidhja Shqiptare e Prizrenit Nr 3. Hotel “Bujtina Romana” që ndodhet në afërsi të detit me pronar atdhetarin Zef Çupi, i mblodhi si në gji të Zotit, bijtë e Nënës Shqipëri Etnike nga të gjitha trojet e saj, sepse ata janë bijtë e Shqipes dhe jo të qyqes! Janë nga Presheva, Medvegja, Mitrovica, Drenica, Prishtina, Gjakova, nga Ilirida, Shkupi, Tetova, nga Konica,nga Çamëria, nga Mali i Zi! Nga Tirana, Fieri, Himara, Durrësi, Vlora, Tepelena, Tropoja e të gjitha trevat e trungut amë! Të katër vilajetet si katër drejtimet e horizontit bashkoheshin jo vetëm me gjakun dhe zjarrin e zemrës, por edhe me sloganin: “Një komb, një flamur, një shtet!” Askush nuk na i lidh dot ëndrrat, askush nuk na e vret dot amanetin e të parëve tanë për të qenë të bashkuar, se amanetin si thotë populli ynë nuk e tret as dheu! A nuk lanë këtë amanet tre heronjtë tanë kombëtarë që si një emblemë e përjetësisë, e ciklit të pranveror të hënës dhe riprodhimit të jetës, formojnë një trini, si një përllogaritje hyjnore, me datën 28 dhe muajin nëntor! A nuk lanë këtë amanet Skënderbeu dhe Ismail Qemali, në dy Nëntorët e parë!? A nuk la këtë amanet Adem Jashari që lindi po në 28 Nëntor dhe shkoi në përjetësi duke kënduar himnin kombëtar : “Rreth Flamurit të Përbashkuar/ Me një dëshirë më një qëllim/ të gjithë atje duke u betuar/ të lidhim besën për shpëtim!” Shpëtimi ynë është bashkimi, ndaj në këtë tubim, ku u mblodhën e kuvenduan shqip rreth 200 burra e gra, që në çelje të tij nga Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Atdhetare për Identitet dhe Bashkim .Kombëtar, (SH.A.I.B.K)Genc Llakaj, u këndua po ky himn kombëtar dhe u mbajt një minutë heshtje për të rënët e Atdheut që ranë me të në gojë e u mbuluan me Flamurin Kombëtar!
Më pas fjalën e mori Prof. Dr. Hulusi Hako, Kryetar i Shoqatës Atdhetare Mbarëkombëtare për Identitet dhe Bashkim Kombëtar, i cili përveç përshëndetjes së tij për këtë tubim që i rrit nderin Durrësit, Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që ndodhen, lexoi dhe fjalën përshëndetëse të Pr.Dr. Sulejman Mademi nga Durrësi, i cili në pamundësi për të ardhur personalisht, shkruante se “organizimi i këtij tubimi është vetë shëndeti i qytetit të Durrësit.” Më pas fjalën në emër të kryesisë së Kuvendit Mbarëkombëtar, me porosi të kryetarit të saj Gjeneral Kudusi Lama, e mori Sekretari i Përgjithshëm i saj z. Gafurr Adili, i cili dhe e drejtoi atë në të dy ditët. Ai falënderoi të pranishmit dhe bëri të ditur se mbledhja ishte e ndarë në tre seanca plenare. Në emër të Kryesisë së Këshillit Organizativ të Kuvendit Mbarëkombëtar, zoti Adili lexoi Raportin e Punës së këtij Këshilli, që nga themelimi i tij më 25 Nëntor 2006 te Hotel “Tirana” në kryeqytetin shqiptar ose në “Piemontin e çështjes kombëtare shqiptare” siç e quante Tiranën, i pavdekshmi, maja e vetëdijes historike mbarëshqiptare Ukshin Hoti, deri në Mbledhjen Parakuvendore të Kuvendit Mbarëkombëtar. I madhi Ismail Kadare thotë se “më fort se kurrë, kombi shqiptar ka nevojë për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi” prandaj dhe zoti Adili, përshëndeti në mënyrë të veçantë për praninë e tyre zotërinjtë: Prof. Dr. Hava Ismajli, dekan në Fakultetin Juridik-Prishtinë, Prof. Dr. Musa Limani rektor në Universitetin UNIVERSUM –Prishtinë, Prof. Dr. Sabri Kadriu po në Prishtinë, albanologe Sabrie Prekaj, Pr. Xhavit Dalloshi nga Kaçaniku me banim në Gjermani, Pr. Dr. Adem Hajdaraj deputet në Kuvendin e Kosovës, Ali Lajçi – Deputet i Kuvendit të Kosovës, Hasan Muja – Deputet i Kuvendit të Kosovës, Pr.Hysni Shaqiri (BDK-Maqedoni); Osman Musliu, Nasër Shatri, Hamit Ademi, Pertit Kodra, Emil Kastrioti, etj si veprimtarë të përkushtuar të çështjes së ribashkimit kombëtar, si dhe përfaqësuesit e familjeve të dëshmorëve si Hysni Elshani, Ramadan Berisha i familjes së Tahir e Rifat Berishës nga Drenica. Në përshëndetjet me këtë rast, nisjen e bëri zoti Ibush Hetemi, kryetari i degës SH.A.I.B.K në Kosovë i cili ndër të tjera tha se “mendova se do të fillonte nga Tirana, por Shqipëria është një. Një Shqipëri andej, një Shqipëri këtej” duke vijuar se “shqiptarët e Kosovës duan të jenë të bashkuar me Shqipërinë. Po ju kujtoj një ngjarje të viteve të shtatëdhjeta, ku një gazetë franceze kishte botuar një shkrim për shqiptarët dhe kishte vendosur të pikturuar Flamurin Shqiptar me shqiponjën me dy koka, ku njëra kokë godiste tjetrën kokë. Prandaj ne kemi marrë një vendim : Mjaft më, me dy koka që hahen, mjaft më me dy rrugë, mjaft më me dy alternativa, një alternativë ka dhe kjo është ribashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një shtet ! Një komb, një flamur, një shtet!”
Kolonele Shyhrete Gosalci nga Prishtina ndër të tjera tha se “që të arrihet bashkimi duhet të emancipohemi në një Akademi Kombëtare Shqiptare, sepse kanë ndodhur ndryshime të mëdha akademike dhe përpjekjet tona kanë qenë në relacion të fshehtë” ndaj vijoi ajo “më mirë do të ishte se për Ribashkimin e Shqipërisë duhet të vëmë në dispozicion virtytet dhe të gjithë potencialin tonë ekonomik, diplomatik, kulturor etj.”
Nga Himara kishin ardhur si përfaqësues vëllezërit Lefter e Kristo Çipa, studiuesi nga Dhërmiu Foto Bixhili dhe fjalën nga kjo krahinë e mori Kristo Çipa kryetari i degës SH.A.I.B.K në Himarë, i cili tha se “Duke marrë rrugën nga Himara për në Durrës, së bashku me vlonjatë të tjerë, kujtuam faktin se në vitin 1389, përfaqësuesi i Himarës Gjergj Stresi me luftëtarët e tij, ishte në betejën e Fushë-Kosovës, betejë që serbët kanë dashur ta bëjnë të tyre, por ishim ne shqiptarët që mbrojtëm Ballkanin dhe trojet tona. Më vonë, në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, krahina e Himarës u përfaqësua nga Odise Nesturi mik i Abdyl Frashërit dhe shokëve të tij që ishin në parinë e kësaj lëvizjeje. Për pesë shekuj robëri, Ballkani ishte nën Turqinë, ndërsa kjo pjesë ishte shqiptare. Himarjotët si shqiptarë të vërtetë u dalluan si mbrojtësit kryesorë të trojeve të tyre shqiptare, ishin ndër të vetmit që ruajtën të drejtën e shqiptarëve. Në këto momente dhe me pak dhimbje them se kemi edhe ujëra të turbullta që do t’i pastrojmë nga gjaku ynë, ka njerëz që e mohojnë gjakun e tyre shqiptar, por do të ngelen si pjesë e errët e historisë. Himara së bashku me Vlorën është në linjën e bashkimit të trojeve shqiptare. Të gjitha tezave që duan ta quajnë këtë bashkim “Shqipëri të madhe” dhe me emra të tjerë ne u përgjigjemi me këngën tonë të Himarës : “Ne s’kemi ëndërr të madhe/ Aq, sa ka folenë Shqiponja / Shqipëria natyrale/ Katër vilajetet tona!”
E gjithë salla shpërtheu në duartrokitje të forta, të cilat vazhduan edhe kur e mori fjalën
përfaqësuesi i Tepelenës, z. Qemal Danaj, i cili ndër të tjera tha se “Tepelena ka qenë për sloganin “Një komb, një flamur, një shtet” dhe se nga ky qytet kanë rrjedhur lumenjtë e lirisë ndër kohëra.” Ndërsa kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Shpiragu”, z. Ahmet Velçani në fjalën e tij tha se “ Unë vij nga zona ku Rrapo Hekali i hapi luftë Turqisë, kësaj perandorie të madhe. Shoqata jonë ka për objektiv bashkimin e kombit në një të vetëm dhe ky tubim sot është një takim i mirëpritur nga shqiptarët gjithandej sepse gjithçka është e mundur po të jemi bashkë në qëllimin tonë.”
Mulla Osman Musliu nga Drenica tha se “shpesh herë slogani “Mos shikoni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria” na është dukur shumë i bukur, mirëpo ne jemi të krishterë e myslimanë, festojmë Bajram e Pashkë veç e veç, por Shqipërinë e kemi bashkë. Kjo është vendlindja jonë. Shqiptarët kane tri fe, por kanë një Atdhe.”
Në të njëjtën linjë me të ishte në përshëndetjen e tij edhe zoti Ali Lajçi, deputet në Kuvendin e Kosovës kur tha se “Ne duhet të vazhdojmë atë që anatomia e shpirtit të Skënderbeut thoshte, se po të jemi të bashkuar është bërë Shqipëria.”
Veprimtari i devotshëm i çështjes shqiptare z. Emil Kastrioti tha se “vjen prej vendit ku ruhen të pacenueshme doket, zakonet shqiptare, pasardhësit e Skënderbeut ku të mirës, i thonë të mirë dhe të keqes i thonë të keqe. Aty doli legjendari Adem Jashari e sot Kosova jeton pa shkjaun. Po punojnë e veprojnë për Bashkim Kombëtar. Rroftë Shqipëria Etnike!” Z. Ramiz Shabani, me origjinë nga Çamëria martire përfaqësues i Shoqatës Ardhmëria Shqiptare-dega Vlorë, pasi uroi që punimet e këtij Kuvendi të kalonin me sukses, recitoi disa vargje të Naim Frashërit: “Gjuha e perëndive le të na bashkojë të gjithëve për një Komb, një Shqipëri, një Atdhe.” Mona Agrigoriaei, publicistja dhe veprimtarja e shquar shqiptare nga Rumania, e cila për shkak të shkrimeve të saj realiste mbi çështjen shqiptare e veçanërisht për pavarësinë e Kosovës ka rrezikuar edhe burgun në Rumani tha se: “Kam lindur në Rumani, por më kanë bërë të ditur origjinën time shqiptare shtatë breza dhe kjo më detyron të jem shqiptare. Jam krenare që jam shqiptare!” Mona Agrigoriaei me një mjeshtëri të fjalës së shkruar, emocionin dhe lotët e saj, ndërsa përmendte të gjitha vlerat e Shqipërisë, Pirros dhe Teutës, u a përçoi gjithë të pranishmëve duke thënë se “e dua Shqipërinë me gjithë zemër e zjarr të pashuar, kam për detyrë që jetën t’ia përkushtoj Atdheut të dashur, Shqipërisë. Një trup pa këmbë e duar, s’mund të lëvizë i lirë. Potenciali i gjithë shqiptarëve është në Shqipërinë Etnike. Ne shqiptarët nuk duhet të rrimë të përçarë se s’duhet të na humbë potenciali ynë. Të gjithë zotërinjtë duhet t’i rikthejnë sytë Kombit dhe aspiratave të tij, siç edhe e ka shkruar Kushtetuta e Shqipërisë. Rroftë Kombi Shqiptar dhe Shqipëria Natyrale!”
Ndërsa Tom Coli, sekretar i Ballit Kombëtar për Diasporën përshëndeti Kuvendin dhe të pranishmit me sloganin: “Pa Kosovë e Çamëri, nuk do të ketë as Shqipëri!”
Dr. Sali Bytyçi nga Prizreni theksin e vuri tek bashkimi shpirtëror i shqiptarëve duke thënë se “Sa më parë tu themi jo ndarjeve lokale. Jemi vëllezër në Shqipërinë e Bashkuar Etnike. Prizreni legjendar para katër ditësh ju përshëndeti me motivin që sa më parë të jemi një Shtet i Bashkuar. Gëzuar në bashkimin shqiptar që nga sot”
Mbas poezisë së Naim Frashërit që thotë se “që kur lindi diell e hënë/ Shqipëria këtu ka qenë/ Nga e gjithë bota mbarë/ neve jemi më të parë” të recituar nga Simon Njekaj, fjalën e mori Prof. Dr. Sabri Kadriu, i cili me gjykimin e shëndoshë dhe racional të një ekonomisti iu drejtua të pranishmëve me pyetjet : “Pse të jemi viktima të Lindjes, eksperiment i Evropës, simboli sakrifikues i botës? Operacionalizimi i detyrave tona është i vlefshëm ndaj dhe duhet të konkretizojmë planet tona mbarëkombëtare. Si mund ta realizojmë këtë? Nuk mund të justifikohet e të tolerohet kjo situatë. Ec përpara nëse dëshiron, por ku po shkon? A e dimë ku shkojmë? SH.B.A rrezaton me demokraci dhe me ekonomi sepse ka vënë në punë potencialin intelektual, por edhe ne do të angazhojmë inteligjencën e shqiptarëve se ajo ekziston. Duhet ta mbledhim inteligjencën shqiptare në një kongres në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. A jemi ne këtu dhe ju të kryesisë ata që do mobilizojnë gjithë këtë forcë për një vizion dhe ecje përpara? Jam i bindur se me të gjitha resurset shqiptare që i kemi, me një program të mirë, me këtë rini dhe mobilizimin e inteligjencës dhe me program të qartë operativ, do të jemi në rrugë të drejtë në se angazhohemi të gjithë dhe ne shqiptarët do të kontribuojnë në prodhimin e të mirave materiale jo vetëm kombëtare por edhe ndërkombëtare.”
Dhe si për ta ndryshuar paksa këtë atmosferë akademikësh, Lefter Çipa nga Himara tha se “për këtë kuvend kam si përshëndetje një poezi me flakërimën e gjakut tim shqiptar. Unë do ta quaja këtë shenjtërim të sotëm si Kuvend të kuvendimit të shqiptarizmit. Sot është dita e kombit dhe e këngës së tij. “Ne të gjallët që të tërë, /pranë flamurit të shenjtëruar,/ ti rrimë kombit në këmbë,/ të pavdekshmit për të nderuar/ të pavdekshmit e këtij kombi / nga dheu ngrihen e flasin/ prandaj zogjtë e zinj të korbit/njëri tjetrin le të vrasin”
Zonja Sabrie Prekaj, albanologe, tha se “ju përshëndes me fjalët e këtij slogani : Një komb, një flamur, një shtet!” Adem Jashari para se të vdiste tha vetëm këtë fjalë : Më mirë të vdes unë se sa Kosova!” Ndërsa Prof. Dr. Musa Limani me origjinë nga Presheva, vendin për të cilin i madhi Çabej thotë se e flet përsosur Shqipen e pastër, përshëndeti kryesinë duke thënë se “kam nderin të jem në mesin tuaj në një tubim të madh historik ku flitet për bashkimin gjithëkombëtar. Unë nuk mund të gjej fjalë mbas asaj që foli motra jonë nga Rumania. Është e vërtetë që historia për kombin tonë ishte e hidhur, na ndau dhe i vetmi shtet në botë, i cili nga katër anët e horizontit kufizohet me elementin e saj etnik. Edhe ne po na troket liria, edhe ne pasardhësit e ilirëve kemi të drejtën e vetëvendosjes siç e kanë edhe të tjerët. Ata, të cilët na copëtuan, gradualisht duhet të na bashkojnë. Unë me këtë rast do të citoja rilindësin tonë Faik Konicën, i cili ndër të tjera thotë: “Në qoftë se jemi të ndarë, e mundura bëhet e pamundur, nëse jemi të bashkuar, e pamundura bëhet e mundur”. Edhe për një term ju kisha lut, nuk duhet përdorur termi “Shqipëri e madhe”. Koncepti dhe teza “Shqipëri e madhe”, vëllezër është sllave, prandaj ne nuk duhet ta përdorim. Ne kemi Shqipërinë etnike që tha zotëria nga Himara, që tokat tona shqiptare janë aty ku bukës i thuhet bukë, e ujit i thuhet ujë. Nuk ka as term “Shqipëri e madhe” as “Shqipëri të vogël” ka vetëm Shqipëri etnike. Rroftë Shqipëria Etnike!”
Nevzat Bozhani, pilot, kolonel në rezervë, nga Dukati i Vlorës e mori fjalën dhe në emër të sloganit “Një komb, një flamur, një shtet” përshëndeti duke thënë se “ky është një slogan i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Shqipëria ka bërë shumë për ne të gjithë, po çfarë do bëjmë ne për Shqipërinë që ajo të mos jetë më e copëtuar. Prandaj ky tubim është tubim fisnikësh.”
Shyhrete Gosalci në përfundim të seancës filloi të këndojë këngën “Të thërret Prizreni mori Shkodër” dhe salla pushtohet nga duartrokitje të shumta nga të gjithë të pranishmit që e shoqërojnë atë në këngë.
Adem Lipa nga Burimi në seancën e dytë tha se “Jemi një komb, një flamur jemi, por, një shtet nuk jemi. Ky kuvend të merret me mbrojtjen e çdo shqiptari përmes organeve ku ndodhen dhe ti ketë parasysh këto gjëra. Tu themi mjaft më gjakderdhjeve vëlla me vëlla për pozita dhe interesa me njëri-tjetrin. Tu bëhet me dije se ai që bën kështu, nuk do të quhet as shqiptar.” Më pas Pr.Hysni Shaqiri, (BDK-Maqedoni), i cili la karrigen e tij si deputet në Kuvendin e Maqedonisë dhe mori armët për t’iu bashkuar UÇK-së tha se “ kjo rrugë është shumë e rëndësishme dhe kërkon konsulta në nivel të qendrave gjithëkombëtare në Tiranë, Prishtinë, Shkup, etj, dhe këtë ide, një ditë prej ditëve do e bëjmë realitet. Maqedonia dhe shqiptarët e saj kanë nevojë që të jenë në bashkëpunim me strukturat më të denja e të përgatitura në rrafshin kombëtar. Kjo kërkon sakrificë dhe ne duhet të mobilizohemi të gjithë. Unë propozoj hartimin e një programi në një kuvend mbarëkombëtar dhe se kjo strukturë do të ketë përgjegjësinë më të madhe për një çështje që po rrezikohet dita ditës. Tokat tona fatkeqësisht vazhdojnë të tkurren. Ne duhet të vazhdojmë rrugën e idealit që kanë pasur e na kanë lënë trashëgim dëshmorët e Luftës së Kosovës, Preshevës, Bujanocit , Medvegjës e të UÇK . Duhet të hartojmë një program për të gjithë Maqedoninë dhe Kumanovën ku ka shumë shqetësime, sidomos në vendet ku kjo çështje është e rrezikuar. Përkrahjen do e keni tonën, shqiptarët do të jenë të mobilizuar, në Maqedoni, në Preshevë e në Bujanovc. Nuk duhet vetëm ti qajmë tokat tona, por janë bërë gabime që ne na kushtojnë. Ky kuvend duhet të mbartë një detyrë që nesër ti bëj punë se do të na gjykojë e do të na dënojë historia. Gjeneratat që do të vijnë do të na gjykojnë ne edhe punën tonë. Programi duhet të trajtojë me ekspertizë të saktë. Lidhja e Prizrenit u organizua nga pak intelektualë dhe ka shërbyer shumë për çështjet e fateve të Shqipërisë. Punë të mbarë Kuvendit. Unë jam shumë optimist që do të punojmë deri në vdekje, se vetëm kështu mund të ecim përpara.”
Semal Veseli, nga Prizren tha se “Detyrat që ngarkohen duhet të kryhen.” Edhe nëse nuk marrim detyra për të punuar për çështjen e Shqipërisë Natyrore. Obligim i joni me e mbrojt, me e rujt dhe me ia lënë pasardhësve të saj.”
Përfaqësuesi i Shoqatës Çamëria z. Servet Mehmeti tha se “Populli shqiptar i Çamërisë është popull martir. Padrejtësitë në njërën hapësirë e në tjetrën duhet të korrigjohen. Shqiptarin e kanë sulmuar, grabitur, e kanë përzënë. Baza e punës duhet të jetë e studiuar, e sistemuar, kush kemi qenë, çfarë na u bë, ç’pësuam dhe ç’kërkojmë? Të drejtën e trojeve tona, Shqipërinë që ka ekzistuar t’ia kërkojmë faktorit ndërkombëtar. Strukturat e këtij funksioni duhet të bëhen të fuqishme me një platformë mbarë-shqiptare.”
Si qendër të mbajtjes së Kuvendit Mbarëkombëtar, pati shumë diskutime disa thanë për Shkupin, disa Prizrenin, disa Pejën dhe disa vende të tjera të Shqipërisë. Hajdar Hoxha nga Kruja propozoi Lezhën, Besnik Velaj, nga Vlora tha se “ne kemi mundësi që edhe në Himarë ta bëjmë se shoqata i ka të gjitha të drejtat ligjore.”
Datat e mbajtjes së Kuvendit Mbarëkombëtar do të jenë 25, 26, 27 Nëntor 2008.
Vendin e mbajtjes së Kuvendit Mbarëkombëtar ta caktojë Këshilli Organizativ i Kuvendit Mbarëkombëtar.
Z. Halil Katana, kolonel rezervë tha se “Sikur në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të ishte vetëm gjysma e këtyre intelektualëve që janë sot në sallë, çdo të ishte bërë atje? Sot duhet të ishin politikanë, diplomatë, intelektualë, etj. shumë më tepër, edhe nga ata që janë betuar para flamurit kombëtar mbi gjakun e dëshmorëve. Harrëm buka atyre që e shkelin këtë betim!”
Prof. dr. Agim Koçollari, përfaqësues i Shoqatës Kosturë-Konicë tha se “Sot po flitet shumë për çështjen shqiptare. Maqedonia kërkon fshatrat tona. Ne kemi trojet tona dhe nuk po i kërkojmë. Në këtë platformë mbarëkombëtare nuk synohet për gllabërim territoresh, por të rikthehemi në trojet tona. Krahina e Toplicës përbën territorin sa territori i Kosovës aktuale, përfaqësuesit e tyre do të jenë në Kuvendin Mbarëkombëtar. Këtu flitet shqip, mendoj të ndërpresim luftën brenda llojit.”
Prof. Dr. Hasan Muja, dekan i Fakultetit të Gjakovës tha se “është me rëndësi të dihen edhe faktet historike, pa deformime nga ekipet punonjëse që do të formojë Këshilli Organizativ mbi baza profesionale, shkencore dhe që do të bashkëpunojë edhe në relacione ndërkombëtare për një politikë globale që zhvillohet në rajon e në botë e më gjerë në konsultat e ndryshme mbi baza shkencore.”
Riza Jonuzi nga Kumanova e Iliridës, ish luftëtar i UÇK tha se “Vij për të mbështetur mbajtjen e kuvendit dhe ky takim do të jetë në kujtesën time dhe kjo vjen me plagën time të dytë për idealin e bashkimit kombëtar.”
Luljeta Hetemi, mjekja nga Drenica që është shkolluar dhe punon po në Tiranë thotë se “përfaqësoj një pjesë të emocioneve të Drenicës, të mos ekzistojnë kufijtë dhe të jemi bashkë. Në pushkën e Adem Jasharit gjithmonë ka pasur një refren për Shqipërinë etnike.” Diskutimet vazhduan gjatë në të tre seancat, për të arritur një akademi të përbashkët mbarëshqiptare, një abetare të përbashkët, një platformë me mision të përbashkët: Minimizimi i përçarjes shqiptare, të formojmë organizma gjithëkombëtarë, ekonomistë, juristë, specialistë gjithëpërfshirës etj, për të bërë një komision të përbashkët të ekspertëve me strategji të zhvillimit, për të fuqizuar kombin tonë. Të gjithëve u takon kjo përgjegjësi historike për çështjen tonë kombëtare. Z. Limani tha se “duhet të fillojmë të konkretizojmë proceset integruese. Objekti më madhor: Autostrada Durrës-Prishtinë, paraqet aksin që ndodhen të gjithë shqiptarët. Të sakrifikojmë për të kontribuar për këtë çështje se është shumë kryesore.”
Ramadan Berisha që vinte për herë të parë në Shqipëri tha “ se tani që pash Shqipërinë, dhe sa e bukur e sa ndryshe nga gënjeshtrat e propagandës është, thashë se Shqipëria është bërë Evropë. Jam i kënaqur që e pashë kështu ndaj s’ka problem në se vdes se do vdes i kënaqur që ia arritëm kësaj dite. Kur e kalova kufirin shqiptaro-shqiptar me një dokument që i ka skaduar afati, u binda se ka filluar procesi i bashkimit. Ja ky është bashkimi.”
Ky është bashkimi vërtet de facto por për ta bërë de-jure u shtuan dhe radhët e kryesisë me njerëz të përzgjedhur, talente në fushat e tyre dhe heronj të shqiptarizmës. Në krye qëndron gjen. Kudusi Lamaj dhe mbas tij vijnë një sërë akademikësh, rilindësit e rinj që zbatojnë amanetin e rilindësve të parë: “Për mëmëdhenë me pushkë dhe penë.” UÇK-ja e përdori pushkën dhe qëlloi në shenjë, tani është radha e penës.


e shtunë, qershor 21, 2008

KA NJË NJERI

Ka një njeri,
që me ju qan,
në portonet tuaja.

Një njeri,
që të bukurën u sjell
tek lotët e dëshpërimit.

Ka një njeri,
që me ju ... .

Një njeri,
që ngrohtësi
në akujt e zemrës
u sjell.
..ai gjithë jetë
kërkon t’ju flas.

Ju flet e s’e dëgjoni.

Ndaloni,
prisni një çast!
Një njeri po ju ndjek…

Ka një njeri, që ju kërkon.
Ju do,
ju dashuron!...

valter-Gjermani, Franfurg, 2003

lazerivalter@aol.com

e premte, qershor 13, 2008

Jusuf Zenunaj në gjuhën rumune

(Din stâncã curg lacrimi / Prej shkëmbit rrjedhin lotë. Përktheu: Baki Ymeri, botoi Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë, Bukuresht, 2008)
Thonë se librat kanë jetën e tyre dhe se kush lexon fluturon në botën e ëndrrave. Kosova ka dritë të shenjtë dhe drita e Saj vjen përmes ëndërrimtarë të Saj, edhe në veri të Danubit. Ëndërrimtarët tanë e fisnikërojnë Dardaninë me fjalë të ndritura edhe në gjuhë të huaja. Drita e fjalëve të kosovarëve të frymëzuar është një dritë magjike që të josh që në shikim të parë. Çka s’ka parë e çka s’ka përjetuar poeti në Kosovë, për ta përjetësuar përjetimin e tij në varg! Fjala e poetit është ushqim i dashurisë dhe bërthanë e bukurisë. Ja edhe një poet i ri kosovar i rikënduar në gjuhën e një vendi ku njeriu lind poet! Teksti i poetit posedon vlera dhe tema dominuese që ndërlidhen me lirikën e dashurisë dhe dashurinë ndaj atdheut. Jusuf Zenunaj është një vlerë e re e lirikës së mërgimit në zemër të Europës! Fjala e Jusufit ka vlera të denja që dëshmojnë se atdheu i tij shkon duke u bërë gjithnjë e më i gjallë. Kosova ka dritë të shenjtë që e ndryshon jetën e njerëzve me vullnet, vitalitet dhe fjalë.
Nga përmbajtja e lëndës potike konstatojmë se ky libër prej 100 faqesh është i strukturuar në pesë kapituj, nga të cilët katër kapituj me poezitë e autorit në gjuhën rumune (Për ty ziheshin edhe perënditë, Melodia e këngëve tua, Gurëzimi i fjalës, Shiu dhe mosha ime) dhe një kapitull me poezi në gjuhën frenge, përkthyer nga Aulona Zenunaj. Librin e Jusufit që e pa këto ditë dritën e botimit në Bukuresht, nën përkujdesjen e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë (redaktor: Mihai Antonescu, ballina: Ramë Ukaj), e dinamizojnë parathënia e eseistit Marius Chelaru, „Për poezinë e një endacaku të ditës së nesërme”, një mendim yni estetik: “Flatrat e fjalës”, si dhe artikulli i Ahmeti Qeriqit “Poezia e Jusuf Zenunajt në valët e Radios Kosova e Lirë.
Sipas medalionit të eseistit Marius Chelaru, botuar në ballinën e dytë, “Nga pikëshikimi tematik, te Jusuf Zenunaj ndërshihet largimi nga dheu amtar edhe përmes mënyrës në të cilën e gërsheton poezinë e dashurisë me nostalgjinë ndaj „shtëpisë”. Dashuria duket se është temë e parapëlqyer, të cilës mund t’i shtohen mërgimi, nostalgjia ndaj vendlindjes, dashuria, pritja, kërkimi, kundrimi i natyrës, erëtima e luleve, fëshfërima e drurëve, gurgullima e ujërave. Dashuria në poezinë e tij të shndërron në “fryt të dhembjes së djeshme” dhe “endacak i ditës së nesërme”, por edhe në “shtegtar të dashurisë”. Përmes këtij vëllimi të poetëve kosovarë të botuar në gjuhën rumune, autori u bashkangjitet, me aq dhunti sa i është dhënë, në një tjetër tabllo të gjuhës shqipe, i koloruar në nyancat e poezisë”.
Sipas Ahmet Qeriqit, „Në mesin e poetëve dhe krijuesve tanë të talentuar, të cilët veprimtarin artistike e kanë zhvilluar dhe po e zhvillojnë në mërgim, shquhet edhe Jusuf Zenunaj, veprimtaria letrare e të cilit nis në vitet ’80 të shekullit të kaluar. Autori është poet dhe dramaturg që shquhet për origjinalitet krijues të pasur artistik. Duke përshkruar jetën, mundimet dhe fatkeqësitë e shqiptarit të robëruar, dhunshëm nëpër rrugët e botës, ky krijues ka hartuar poezi tejet të motivuara nga jeta e njerëzve të gjakut e të gjuhës, të cilët bartën mbi supe fatin tragjik jo vetëm në Atdheun e robëruar, por edhe rrugëve të botës, krijues të kërcënuar me befasitë që sjell jeta në dhe të huaj.
Pjesë e këtij fati tragjik të shqiptarët gjatë gjithë shekujve të robërisë ishte dhe ende po mbetet rruga e mërgimit, nëpër të cilën u degdisën mijëra shqiptarë të përndjekur nga pushtuesit, nga forcat e errësirës, në mesin e tyre edhe poeti që s’e harron vendlindjen që e përcëllon, andaj edhe konstaton se “pa qenë i mërguar malli të përcëllon si zjarr i mbuluar me hi”, duke ndjerë thellë në qenie Drinin e Bardhë, aromën e bukës së Dukagjinit dhe erën e fortë të Bjeshkëve të Nemuna. Malli i mërgimtarit është temë e veçantë për poetin, i cili nuk ka mërguar nga dëshira për të parë botë dhe për të fituar pasuri, por i ndjekur nga regjimi për shkak të mosbindjes dhe kundërvënies.
E veçanta e vargut të këtij poeti qëndron në qasjen origjinale ndaj temave, në përshkrimin realist të situatave të ndryshme dhe afinitetet në sajimin e komunikuese, të çiltra e të thjeshta në mbarështim, por të thella dhe me mjaft brendi. Me qëllim për ta paraqitur një pjesë të përpjekjeve të shqiptarëve për të të huaj, poeti vëren se si në vendet larg Atdheut dalëngadalë shpirti vdes, vëren se deri ku mund të sharrohet në botën e pamëshirshme, e cila të bluan e tret në rrugë të pkthim. Këtë rrugë drejt humbjes së identitetit ai e përshkruan në një moment kalimthi, në poezinë “Dikush i buzëqesh kësaj jete”: “Katër çupa të bukura, dy të lindura në Atdhe, dy në Perëndim, as sa për lojë shqip nuk dinë, frëngjisht flasin pa ngurrim”.
Edhe pse në vargun e tij të thurur me mjeshtëri, poeti nuk proteston kundër humbjes graduale të identitetit të shumë shqiptarëve në mërgatë, shqetësohet me faktin se atje askush nuk të detyron të asimilohesh. Gjatë qëndrimit të gajtë në dhe të huaj, mërgimi e bën të veten, andaj një ditë “kur të pyesin pas shumë viteve, ndihesh i turpëruar”. Vargu poetik i këtij krijuesi është i latuar me shumë kujdes, i pasur me stilistikë, i kursyer nga patetika dhe retorika, i motivuar thjesht dhe bindshëm në një filozofi realiste jetësore dhe i brumosur me idealin e shenjtë të lirisë, dhe ii e tillë, poezia e Jusuf Zenunajt i përballon kohës, sepse jep porosi, trajton tema të aktualitetit, tema të angazhuara jo vetëm nga përmbajtja e forma, por edhe ndërtimi artistik”.
Për ty ziheshin edhe hyjnitë, Eja të shkojmë te burimi, Kënga shkrin dhe hekur, Melodia e këngëve tua, Malli, Ti dhe vargu im, Kur doli dielli në maje, Kuvendi i Pejës, Gurëzimi i fjalës, Shiu dhe mosha ime, Pranvera e madhe, Shtëpia e fëmijërisë sime, janë disa nga 50 poemat e autorit të rikënduara në gjuhën rumune që e flisnin me admirim edhe titanët e vlerave tona letrare në Bukuresht: Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Aleksandër Stavri Drenova (Asdreni).
Mërgimi, poezia dhe atdhedashuria
Rumania është nje vend që ka nxjerrë poetë të shquar të nivelit më të lartë europian. Dashamirët e sinqertë na përgëzojnë për botimin në gjuhën rumune të poetëve të Kosovës, duke përhapur kështu edhe më shumë zërin e kombit, të kulturës, por edhe të së drejtës dhe të moralit njerëzor, siç thekson Visar Zhiti në një korrespondencë të tij. Sipas poetit, «krahas atyre që janë mirënjohës dhe miq, që punojnë dhe krijojnë vlera apo nxjerrin në pah vlerat e të tjerëve në dobi të kulturës së përbashkët, bota shqiptare ka cmirëzinj, të paaftë, të liq që s'durojnë asgjë, sidomos suksesin e tjetrit, e mbase këta të dytët janë më me shumicë, plot komplekse dhe pa të ardhme». Jam shumë i kënaqur që pata fatin të Ju njoh përmes shkrimeve Tuaja që dëshmojnë se jeni gjithmonë në shërbim të shqiptarizmit, thekson në një korrespondencë autori i librit që e prezantojmë, Jusuf Zenunaj, dhe shton:
“Kur lexoj letrat që m'i dërgoni, më japin vullnet për punë dhe ndjej një afri sikur të Ju kisha njohur prej vitesh. Vullneti dhe suksesi juaj në krijimtari më gëzon, ngase jam në dijeni për punën tuaj të çmuar në çështjen kombëtare. Penda juaj qe dhe mbetet armë e fortë e realizimit të ëndërrave tona që për fat të mirë kanë filluar të realizohen, edhepse ekziston nevoja për shumë kohë dhe shumë e shumë punë, që ëndrrat e rilindasëve të bëhen relitet”. Jusuf Zenunaj është një poet i mërgimit. Autori mbart në shpirtin e tij Kosovën me Çamëri e Shqipëri, ngado që vete. Është një mall që të përvëlon e të djeg në shpirt, thot një poet gjakovar (Mazllum Saneja), që pyet pse, dhe përgjigjet: “Sepse ta duash Atdheun nuk ështe lehtë, ngase gjithnjë duhet dëshmuar me qëndrueshmëri dhe stoicizëm. Të vuash është diçka e bukur, madhështore, e veçanërisht të vuash për Atdheun, se Atdheu dhemb porsi gjaku”.
Biobibliografia e autorit
Poeti dhe dramaturgu Jusuf Zenunaj u lind në Novoselë të Pejës (1958). Është diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Kosovës. Më 1983 ishte profesor i gjuhës shqipe në dy qendra shkollare të Pejës. Që nga viti 1992 jeton dhe krijoin në Belgjikë. Krijimet e para filloi t’i botojë në shytp, që nga viti 1980 (në Shqipëri, Kroaci, Slloveni, Zvicër). Më 1989 i botohen 11 poezi në librin Roje drite, të Klubit Letrar Karagaçi, në Pejë. Ishte anëtar i Shoqatës së Letrarëve të Rinj të Kosovës, e cila e shpërbleu me çmimin e parë të saj për poezinë Nga Ura e Qabesë (Prizren, 1991). Shkruan për fëmijë dhe të rritur. Në vitin 1996, Toena e Tiranës ia botoi veprat: Klithmë e këngë (poezi), Ma falin një varr (dramë) dhe Rrugët m’i dhe ti (dramë).
Në përmbledhjen poetike Klithmë kënge, autori ka përmbledhur poezi motivesh të ndryshme, të cilat shquhen për origjinalitet. Ka botuar poezi të panumërta në gjuhën franceze, në revistat Les Elytres du Hanneton dhe Les reflet de chez nous, me të cilat bashkëpunon që nga viti 2000. Është anëtar i Shoqatës letrare Grenier Jane tony dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve Frëngjishtfolës të Mbretërisê Belge. Më 2007 është prezentuar në Antologjinë e poezisë frënge, botim i revistës Les Elytres du Hanneton. Shkruan për fëmijë dhe të rritur, poezi e drama. Ka botuar 4 libra për fëmijë: Pse nuk vjen Diellza në Shkollë (dramë), Dielli e ka fajin (poezi), Jam çadër në ajër (gjëegjeza), Mos e harro qytetin e lashtë (poemë). Kjo është vepra e tetë e autorit, që e sheh dritën e botimit në qytetin që sipas Lasgush Poradecit, mban emrin më të bukur të të folurit shqip (Baki Ymeri).
Top of Form
Parathënia e librit
Për poezinë e një endacaku të ditës së nesërme
Me avuj misri jam përzier,
në çerepin e diellit piqem,
në ma prefshin gjuhën,
fjalën në shkëmb e keni!
Jusuf Zenunaj, / Fjala në gur
Poeti dhe përkthyesi Baki Ymeri e ka bërë zakon të sjellë në gjuhën rumune poetë nga e gjithë bota shqiptare (sidomos nga Kosova dhe diaspora), poetë që u përkasin stileve dhe orientimeve të ndryshme, duke nxjerrë në pah një peizazh pikëvështrimesh e vlerash të mirëfillta. Në vëllimet e disa poetëve, si të Sali Bashotës, Ibrahim Kadriut, Rizah Sheqirit, Mardena Kelmendit, Miradije Ramiqit, Rozi Theoharit, Jeton Kelmendit, Brahim Avdylit, Halil Haxhosajt, Merita Bajraktari McCormack-ut, Sarë Gjergjit, për të cituar sipas një rendi të përzier, vetëm disa nga ata që janë përkthyer në gjuhën rumune – lexuesi rumun ka mundësinë të jetë më afër poezisë së një këndi të botës, për të cilën flitet shumë dhe dihet shumë pak.
Në këtë linjë bën pjesë edhe ky vëllim i nënshkruar nga poeti kosovar, Jusuf Zenunaj, me banim në Belgjikë që nga viti 1992. Thënë ndryshe, një poet nga vargu i gjatë i atyre që kanë shkruar dhe shkruajnë larg atdheut të tyre. Do ta lexoj më parë me syrin e lexuesit të etshëm më shumë për njohje, sesa për analizë. Nga pikëshikimi tematik, te Jusuf Zenunaj ndërshihet largimi nga dheu amtar edhe përmes mënyrës në të cilën e gërsheton poezinë e dashurisë. Dashuria duket se është temë e parapëlqyer, të cilës mund t’i shtohen në sfond hijet e errëta të luftës, me viktima, dhembje dhe çdo gjë që ndërlidhet me të, sidomos mërgimi me nostalgjinë ndaj “shtëpisë”. Fjala është për një “shtëpi” magjike, të cilën e ruan në zemrën e tij. Nostalgjia ndaj vendlindjes ndërlidhet me dashurinë, pritjen, kërkimin, kundrimin e natyrës, admirimin e erëtimës së luleve, fëshfërimës së drurëve dhe gurgullimës së ujërave. Është një nostalgji që ndërlidhet me emra legjendarë të historisë së Kosovës, me heronjtë e Drinit, të Grykës së Rugovës, Lumbardhi, Enver Hadri, Peja apo Jusuf Gërvalla, Jeronim de Rada, e shkuara e Ilirisë deri në Berat, Kuçishtë apo deri te Kroi i Ilaçit - të gjitha këto duke i dhënë një shumëngjyrësi të dukshme poezisë së tij.
Ndërkaq, tëhuajësimi gërryen i heshtur dhe i vetmuar, dhe kjo vërehet më mirë në poemat e tij, si Përsëri në fshatin tim:” Pas shumë vitesh,/ sërish erdha në fshatin tim,/ ku ende edhe ndihet plaga e luftës,/.../ sikur isha fëmijë erën e paska bari/ edhe Ylberi lëshon ngjyrat në Dri“. Kur mërgimtari lan fytyrën në lumë, i duket se sheh më shumë, ngase gurrat e Drinit kanë bukuri magjike, dhe e ndjen veten të harlisur kur pyesin valët e lumit: “Kush është ky njeri!“. Apo, ndoshta ata të një ane tjetër të botës, ku duket se kemi një stërfrenim të shkëputjes nga shtëpia e brezave të mëparshëm, një shkëputje të cilën pas vitit 1989 e kanë përjetuar edhe rumunët. Dhembja dhe mallëngjimi e bëjnë të veten. Këtë e vërejmë sidomos duke lexuar vargjet e poezisë Vdekja në aeroport: “Babai i sëmurë,/ në 97-ën kthehej të vdiste/ në vendlindje./ Në aeroportin e Shtutgardit,/ në ndarje,/ lexova në sytë e tij/ se po vdisnim për njërin-tjetrin,/ unë dhe ai.“
Për Jusuf Zenunajn dashuria shndërrohet në ”fryt të dhembjes së djeshme” dhe „endacak të ditës së nesërme”, por edhe „shtagtar i dashurisë/ për tërë jetën”, ndërsa „pritja është vaji i së shkuarës”. Dashurisë „nuk mund t’i vësh kufi”, sepse ajo mund të bëhet një lojë e fshehtë, një „marrëzi e ëmbël”. Ndërsa malli than zemrën, e shterr. Ngase, autori shkruan, „porsi dielli që përvëlon peshqit në zall/ në shpirt më digjet një mall”, pas syve të bukur të së dashurës, „me qepallat porsi rrezet”, dhe nga dëshira që buzët e saj t’ia ndezin „zjarrin më të ëmbël”. Duhet shtuar se kemi përpara një poezi në të cilën dashuria është porsi një efekt, një „ngjyrë” e jetës, një „diçka” që e sheh, edhe pse është diçka e fuqishme, që të rrëmben ndër faqet e tjera të ditës, të dhembjes, pritjes, shkuarjeve apo kërkimeve. Përjetimi lirik nuk është një këngë e thjeshtë kushtuar të dashurës, por më parë duket se është një hyrje magjike në botën e brendshme të autorit.
Ndërkaq, Kosova e robëruar (1913 - 1999), i dukej si një vend i dhembjes në një kohë të krisur: „Enden nëpër kohë hijet e zeza” dhe „dritën e diellit në korb e shndërrojnë”, në këtë kohë, „me dhëmbët e prishur” të dhembjes dhe gjakut në të cilin edhe „hijeve u rritet shpresa/ se do t’u zgjatet jeta”. Por, ndërmjet dashurisë dhe asgjësisë, ndërmjet dhembjes dhe harresës, apo „ndërmjet mërzitjes dhe gëzimit”, në vizionin e autorit mund të jenë të dyjat si një këngë e heshtur, sepse të dyja „thuajse gjenden në gara/ që mbëltohen në kujtime/ dhe këmbehen njëra me tjetrën/ porsi dita me natën në agim”. Kështu pra, përmes këtij vëllimi, në vargun e poetëve shqiptarë të botuar në gjuhën rumune, Jusuf Zenunaj mund të përfshihet në kategorinë e atyre autorëve që, me aq dhunti sa u është dhënë, kontribuojnë për ta shfaqur sa më të plotë tablonë e gjuhës shqipe, me ngjyrat magjike të nyancave të poezisë. (Marius Chelaru)